“Reuters” zbuloi të dhënat “e nxehta”, si urdhëroi Trump nisjen e operacionit të fshehtë të CIA-s kundër Kinës

Presidenti Donald Trump autorizoi Agjencinë Qendrore të Inteligjencës për të nisur një fushatë në mediat sociale kineze, që synonte të kthente opinionin publik në Kinë kundër qeverisë së saj. Kjo pohohet, sipas Reuters, nga ish-zyrtarë amerikanë që kanë pasur dijeni të drejtpërdrejtë për grupet e konsideruara si të klasifikuara, raporton TopChannel.

Tre ish-zyrtarë i thanë Reuters se CIA krijoi një ekip të vogël, që përdorën identitete false në internet për të përhapur histori apo ngjarje negative për qeverinë e Xi Jinping, ndërsa zbuluan informacione nënçmuese në mediat e lajmeve jashtë shtetit.

Përpjekja, e cila filloi në vitin 2019, nuk është raportuar të ketë ndodhur kurrë më parë. Gjatë dekadës së fundit, Kina ka zgjeruar me hapa të shpejtë gjurmët e saj globale, duke krijuar pakte ushtarake, marrëveshje tregtare dhe partneritete biznesi me vendet në zhvillim.

Ekipi i CIA-s promovoi akuza se anëtarët e Partisë Komuniste në pushtet fshihnin para të paligjshme jashtë shtetit dhe u cilësuan si iniciativa e korruptuar dhe shpërdoruese e Kinës “Belt and Road”, e cila ofron financime për projektet e infrastrukturës në botën në zhvillim, sipas Reuters.

Megjithëse zyrtarët amerikanë refuzuan të japin detaje specifike të këtyre operacioneve, duke thënë se historitë apo deklaratat që përçmonin qeverinë, bazoheshin në fakte, pavarësisht se u lëshuan në mënyrë të fshehtë nga operativët e inteligjencës nën profile të rreme.

Përpjekjet brenda Kinës kishin për qëllim të nxisnin paranojë midis liderëve të lartë, duke e detyruar qeverinë të shpenzonte burime për të ndjekur ndërhyrjet në internet, që Kina e kontrollon mjaft mirë këtë të fundit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës tha se lajmet për iniciativën e CIA-s tregojnë se qeveria amerikane përdor “hapësirën e opinionit publik dhe platformat mediatike si armë për të përhapur informacion të rremë dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar”.

Operacioni i CIA-s erdhi si përgjigje ndaj viteve të përpjekjeve agresive të fshehta të Kinës që synonin rritjen e ndikimit të saj global. Gjatë presidencës së tij, Trump pati një përgjigje më të ashpër ndaj Kinës sesa paraardhësit e tij. Fushata e CIA-s sinjalizoi një kthim në metodat që shënuan luftën e Uashingtonit me ish-Bashkimin Sovjetik.

Trump, tani kandidati kryesor republikan për president, ka deklaruar se do të ketë një qasje edhe më të ashpër ndaj Kinës nëse rizgjidhet sërish president në nëntor.

Operacioni kundër Pekinit mori përsipër një rrezik të konsiderueshëm të përshkallëzimit të tensioneve me Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh fuqinë e ekonomisë së Kinës dhe aftësinë e saj për t’u kundërpërgjigjur përmes tregtisë, tha Paul Heer, një ish-analist i lartë i CIA-s në Azinë Lindore.