Reuters: Tërheqja e Bidenit nga kandidatura, çështje kohe

Presidenti amerikan Joe Biden po i merr seriozisht thirrjet për t’u tërhequr nga gara për një mandat tjetër si kandidat i Partisë Demokratike, raporton Reuters. Tërheqja është çështje kohe, thuhet në artikull, duke cituar burime anonime të mirëinformuara.

“Ai po pyet veten, tani po ndodh, e di me siguri. Ai po e mendon këtë shumë seriozisht”, tha një nga burimet për Reuters.

81-vjeçari Biden është përballur me presion në rritje brenda partisë për t’u larguar nga pozicioni i tij, veçanërisht pas një performance të dobët debati kundër ish-presidentit dhe kandidatit republikan Donald Trump, duke rritur frikën për moshën dhe aftësinë e tij për të fituar në nëntor.

Presidenti i ka rezistuar në mënyrë sfiduese këtyre thirrjeve, duke argumentuar se ai ka fituar miliona vota në garat paraprake gjatë muajve të fundit dhe është zgjedhja e votuesve demokratë.

Një burim tjetër, një përfaqësues demokrat në Kongres, thuhet në analizë, tha se Presidenti Biden po konsideronte tërheqjen pasi ligjvënësit, përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, thuhet se i kërkuan atij të hiqte dorë nga gara.

“Pyetja duket se është kur, jo nëse”, tha burimi.

Ditët e fundit, Biden nuk ka dalë në publik që kur u diagnostikua me Covid. Informacioni u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë dje dhe bashkëpunëtorët e Biden njoftuan se ai do të rikuperohet në shtëpinë e tij në plazhin Rehob në Delaware dhe se do të pushojë nga fushata.

Megjithatë, pritshmëria, sipas ndihmësve të tij, është se ai do të kthehet në rrugën e fushatës dhe në Shtëpinë e Bardhë sapo mjekët e tij të japin dritën jeshile.