Reporterët pa Kufij: 67 gazetarë të vrarë brenda një viti, gati gjysma e tyre në Rripin e Gazës

Reporterët pa Kufij (RSF) publikuan sot raportin e tyre vjetor, i cili thotë se nga 1 dhjetori 2024 deri më 1 dhjetor 2025, 67 gazetarë u vranë në të gjithë botën, ndërsa 503 gazetarë u burgosën në 47 vende gjatë së njëjtës periudhë. 135 punonjës të medias janë të listuar si të zhdukur, disa prej tyre për më shumë se tre dekada, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit, pothuajse gjysma e gazetarëve të vrarë në 12 muajt e fundit, 43 përqind, vdiqën në Rripin e Gazës, me RSF që deklaron se forcat e armatosura izraelite janë përgjegjëse për vdekjet e tyre.

RSF thekson se Ukraina mbetet gjithashtu një zonë jashtëzakonisht e rrezikshme, ku ushtria ruse vazhdon të shënjestrojë gazetarët ukrainas dhe të huaj. Sudani gjithashtu shquhet si një nga zonat më vdekjeprurëse të luftës për punonjësit e medias.

Në Meksikë, grupet e krimit të organizuar janë pas rritjes dramatike të vrasjeve të gazetarëve të regjistruara këtë vit.

Raporti tregon se shumica e gazetarëve vriten në vendet e tyre, me vetëm dy raste të regjistruara jashtë vendit ku ata punonin:

  • Fotoreporteri francez Anthony Lalicane, i vrarë në një sulm me dron rus në Ukrainë,
  • Gazetari salvadorian Javier Hercules, i vrarë në Honduras.

Që nga 1 dhjetori 2025, kishte 503 gazetarë në burgje në të gjithë botën. Në krye të listës është Kina me 121 gazetarë të ndaluar, pasuar nga Rusia me 48, nga të cilët 26 janë shtetas ukrainas, numri më i madh i gazetarëve të huaj të burgosur në një vend.

Në vendin e tretë është Mianmari me 47 punonjës të medias të ndaluar. Izraeli, nga ana tjetër, mban numrin më të madh të gazetarëve të huaj të burgosur, 20.

RSF thekson se një vit pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në Siri, një numër i madh gazetarësh të arrestuar ose të zhdukur gjatë sundimit të tij ende nuk janë gjetur. Siria mbetet vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të zhdukur në botë, duke përbërë më shumë se një të katërtën e numrit të përgjithshëm të punonjësve të medias të zhdukur në nivel global.

Sipas të dhënave, 135 gazetarë janë të zhdukur në 37 vende, disa prej të cilëve janë të zhdukur për më shumë se 30 vjet.

Raporti gjithashtu thotë se 20 gazetarë po mbahen peng dhe se vetëm gjatë vitit të kaluar, anëtarët e grupit rebel Huthi në Jemen kanë rrëmbyer shtatë punonjës të tjerë të medias.

Ndryshe, sa i përket Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit konstatoi se në fushën e medias përparimi është minimal dhe se shumica e rekomandimeve nga vitet e kaluara nuk janë zbatuar. 

Sipas KE-së, Maqedonia e Veriut është midis njëfarë niveli dhe një niveli të moderuar të përgatitjes për lirinë e shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë. Korniza ligjore që rregullon median ende nuk është plotësisht e përafruar me acquis –in e BE-së, veçanërisht Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), megjithëse është arritur njëfarë progresi në Ligjin për median. 

Raporti mes tjerash thekson edhe ndikimin politik në media, mungesën e transparencës, kushtet e pasigurta të gazetarëve, financimin dhe shumë të tjera.