Gazetaria në RMV: KE-ja radhiti ngecjet, shoqatat alarmojnë, qeveria lavdërohet dhe premton 

Pasi Raporti i Progresit për RMV-në në fushën e medias radhiti ngecjet dhe detyrat që vendi nuk i ka bërë, mes të cilave është përafrimi i kornizës ligjore me me acquis –in e BE-së, veçanërisht Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA). Portalb.mk kërkoi përgjegjësi nga Qeveria se përse nuk kanë vepruar në këtë sferë, nga aty duke u lavdëruar për progresin, thonë se periudhën do punojnë në vijim. Shoqata dhe Sindikata e gazetarëve alarmojnë për mungesë të vullnetit politik. 

Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit konstatoi se në fushën e medias përparimi është minimal dhe se shumica e rekomandimeve nga vitet e kaluara nuk janë zbatuar. 

Sipas KE-së, Maqedonia e Veriut është midis njëfarë niveli dhe një niveli të moderuar të përgatitjes për lirinë e shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë. Korniza ligjore që rregullon median ende nuk është plotësisht e përafruar me acquis –in e BE-së, veçanërisht Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), megjithëse është arritur njëfarë progresi në Ligjin për median. 

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi në veçanti duhet: 

  • Të vazhdojë të rishikojë kornizën ligjore që rregullon median për ta përafruar atë me acquis të BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht duke futur rregulla mbi transparencën e plotë në pronësinë e medias dhe ndarjen e fondeve publike për reklamat shtetërore, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, dhe të drejtat e pronësisë intelektuale; 
  • Të zbatojë strategjinë për reformimin e Transmetuesit Publik; 
  • Të vazhdojë të adresojë menjëherë të gjitha kërcënimet dhe aktet e dhunës kundër gazetarëve dhe të sigurojë që autorët të sillen para drejtësisë. 

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut (SHGM) në një prononcim për Portalb.mk tha se raporti ofron pamje realiste dhe të ekuilibruar. Ata thonë se për të pasur përparim të dukshëm në raportin e ardhshëm, nevojiten zgjidhje konkrete dhe konstruktive, të shoqëruara me vullnet më të fortë politik dhe mbështetje institucionale. 

“Ndër prioritetet e theksuara nga SHGM janë: krijimi i një Fondi për Pluralizmin Mediatik në kuadër të Ligjit të ri për Median, zhvillimi i mekanizmave efikasë kundër padive SLAPP, përmirësimi i mbrojtjes ligjore të të drejtës së autorit, reformat e shërbimit publik dhe rregullatorit të medias me qëllim sigurimin e stabilitetit dhe pavarësisë më të madhe financiare, forcimi i mbrojtjes ligjore të gazetarëve nga kërcënimet dhe sulmet, si dhe mbështetje më e fortë për mediat dhe gazetarët lokalë dhe rajonalë. Sfidat kryesore mbeten sigurimi i konsensusit më të gjerë politik mbi reformat thelbësore dhe miratimin në kohë të zgjidhjeve specifike ligjore në sferën e medias”, thanë nga SHGM. 

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) thekson se raporti duke u parë nga brenda, nga pozicioni i pjesëmarrësve në sferën e medias, raporti mund të karakterizohet si realist, por i përmbajtur. 

“Institucionet përgjegjëse për legjislacionin e medias kanë vetëm një vullnet deklarativ për reforma të vërteta të ligjeve të medias. Duhet theksuar se kjo i referohet kryesisht Ligjit për Median, i cili nuk është i harmonizuar me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA). Pengesa më e madhe për përmirësimin e rregullimit të medias, në veçanti, është mungesa e vullnetit, ndoshta sepse autoritetet e konsiderojnë atë ligj si jo prioritet, pastaj mungesa e koordinimit të të gjithë palëve të interesuara mbi mënyrën dhe rrugët përgjatë të cilave duhet të zhvillohen mediat në epokën e transformimit digjital dhe ndikimit në rritje të inteligjencës artificiale, fluksi i dezinformimit, rënia e besimit në mediat tradicionale, por edhe mënyrat e financimit, kryesisht të gazetarisë, dhe jo të medias”, thanë nga Sindikata e Gazetarëve. 

Portalb.mk kërkoi sqarime nga Qeveria dhe Ministria e Transformimit Digjital se pse nuk i kanë bërë reformat për të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjës. 

Nga Qeveria arsyetohen se raporti nuk është vlerësim vetëm i një qeverie, apo vetëm i një viti, por i vazhdimësisë së proceseve të reformës, nivelit të pjekurisë institucionale dhe mënyrës se si vendi i përgjigjet prioriteteve evropiane afatgjata. Nga aty u lavdëruan për pikat që raporti i përmend si hapa përpara.

Lidhur me kornizën legjislative, megjithëse nevojitet harmonizim i mëtejshëm me legjislacionin evropian, veçanërisht me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), mbi të cilin do të punojmë në periudhën e ardhshme, hapa konkretë përpara janë bërë tashmë në Ligjin për Median. Ky është një tregues se si Qeveri po punojmë në mënyrë aktive për përafrimin me standardet evropiane dhe për krijimin e një kuadri ligjor që garanton lirinë dhe pluralizmin e medias”, thanë nga Qeveria.

Raporti mes tjerash thekson edhe ndikimin politik në media, mungesën e transparencës, kushtet e pasigurta të gazetarëve, financimin dhe shumë të tjera.