Reklamim politik i paguar me gabime shtypi në RMV

Zgjedhjet parlamentare përfunduan, ministrat dhe drejtorët tashmë i morën postet e reja, madje është dhënë edhe llogaridhënia e parë për punën e bërë në 30 ditët e para, ndërsa ende nuk dihet se sa para kanë marrë portalet online për reklamimin politik, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi i Meta.mk ka treguar se sa i përket qasjes në informacion për paratë dhe pagesat me sa duket autoritetet nuk janë veçanërisht të angazhuara në aspektin e transparencës. Duke qenë se paratë për reklamat janë pjesë e buxhetit të shtetit, raportet mbi atë se sa para kanë marrë mediat duhet të jenë informacion publik dhe lehtësisht të qasshme për qytetarët, por rruga deri te ato është seriozisht e vështirë për shkak të natyrës kaotike dhe të joazhurnitetit të institucioneve.

Meta.mk në përpjekje për të shqyrtuar disa nga raportet e dorëzuara hasi në një kaos total kur është fjala se sa para kanë marrë portalet online për reklama gjatë zgjedhjeve parlamentare të majit të këtij viti. Kemi regjistruar dokumente të vendosura gabimisht, fletë të skanuara keq, një numër të madh raportesh të papublikuara, por edhe në një numër të madh të atyre të publikuara – të fshehura në linqe pa emër.

Këtë vit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) janë paraqitur një numër rekord i mediave për reklamim të partive – 339, por nuk dihet se sa prej tyre kanë nënshkruar kontratë për reklamim partiak pikërisht për shkak se raportet e plota ende nuk janë të disponueshme.

Transmetuesit dhe mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet online) në vend ishin të detyruar të dorëzojnë raport për hapësirën reklamuese të përdorur nga secili prej pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore dhe fondet e paguara ose të kërkuara mbi këtë bazë jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore. Raportet për reklamimet politike me pagesë duhet të publikohen në katër vende, edhe atë në ueb faqen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Entit Shtetëror të Revizionit, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ministrisë së Financave.

Duhet të kaloni nëpër një labirinthe për të arritur deri te një raport financiar

Gjatë kërkesës sonë për pasqyra financiare vumë re lëshime të shumta dhe moskoordinim nga ana e katër institucioneve.

Fillimisht, për të arritur deri te të dhënat e publikuara në faqen e KSHZ-së duhet gjetur pjesa e faqes ku publikohen raportet financiare, por vërehet se aspak nuk është theksuar se cila pjesë u dedikohet reklamave për zgjedhjet parlamentare, e cila për ato presidenciale.

Në faqen e KSHZ-së ka dy rubrika – në të parën mund të gjeni lloj lloj informacionesh në lidhje me financimin e fushatave, por gjithçka është aq kaotike, saqë edhe të dhënat nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë të përziera, kështu që nevojitet seriozisht përqendrim i mirë për të kuptuar se çfarë po shikoni në të vërtetë.

Printscreen nga KSHZ
Printscreen nga KSHZ

Mungojnë edhe një numër i madh i raporteve nga mediat, ndaj nuk mund të dihet nëse mediat nuk i kanë dorëzuar raportet, apo thjesht, nuk janë publikuar nga institucioni.

Pastaj, pas një kërkimi të gjatë në ueb faqen e Ministrisë së Financave vumë re se janë publikuar raporte, një numër i madh i të cilave tashmë janë publikuar në KSHZ, por ka edhe të tilla që nuk janë të disponueshme në ueb faqen e KSHZ-së, që në një farë mënyre flet për mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve – një raport financiar gjendet në një ueb faqe, por jo në një tjetër.

Në ueb faqen e Ministrisë së Financave raportet janë të ndara në dy segmente – zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare, që dallon nga ueb faqja e KSHZ-së, ku raportet shfaqen mjaft konfuze.

Por aty, nga ana tjetër, ka një gabim shtypi që nuk mund të mos tërheqë vëmendjen – në faqen e Ministrisë së Financave në vend të “parlamentare” shkruan “parlamentate” dhe ka edhe një gabim gramatikor, gjegjësisht “zgjedhjet” duhet të shkruhet me shkronjë të vogël.

Printscreen nga Ministria e Financave
Printscreen nga Ministria e Financave

Më e lehte për qasje deri te informacionet deri tani është ueb faqja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), ku saktësisht thuhet nëse raportet financiare për reklamat në media janë për zgjedhjet parlamentare apo presidenciale, si dhe ka numrin më të madh të raporteve të publikuara.

Printscreen nga KSHPK
Printscreen nga KSHPK

Në faqen e revizorëve raportet publikohen në disa pjesë dhe nëse hapni njërën prej tyre do të vini re disa raporte në një vend, por jo vetëm për media, por edhe për kompani dhe billborde. Për shembull, një dokument përmban saktësisht 111 faqe me raporte të përziera nga më shumë media. Mirëpo, disa nga raportet e publikuara në faqe janë të skanuara dobët, kështu që nuk është e mundur të lexohen apo analizohen fare shumat.

Printscreen nga ESHR
Printscreen nga ESHR

Gjatë hulumtimit, disa nga të dhënat i mblodhëm duke kërkuar në “Google” dhe duke klikuar linqet pa emër me shpresë se do të dalë dokumenti që po kërkojmë.

Nuk janë as paratë e as raportet

Goce Trpkovski, gazetar në Rrjetin Ballkanik të Gazetarëve Hulumtues (BIRN), në portalin Prizma.mk, i cili ka kohë që po e përcjell problematikën me reklamat politike të paguara, thotë se përveç vonesës së raporteve problem që shpesh vihet re është mungesa e të dhënave se kush qëndron pas disa mediave të caktuara që kërkojnë para nga shteti për reklama për zgjedhje, ai thotë se ka edhe portale që nuk janë fare të regjistruara në domain maqedonas. Disa të tjerë, nga ana tjetër, nuk kanë as të dhëna për atë se kush qëndron pas portalit.

Sipas tij, problemet që lidhen me këtë temë janë për shkak të rregullave jo plotësisht të përcaktuara.

“Nuk ka transparencë të mjaftueshme sepse nuk ka rregulla të formuara mjaftueshëm që do të rregullojnë se çfarë do të thotë një portal informativ në internet dhe si do ta fitonte ai të drejtën për të transmetuar reklama zgjedhore të financuara nga buxheti i shtetit”, thotë Trpkovski.

Ai komentoi se nuk është hera e parë që raportet vonohen, por kësaj radhe deri tani procesi i publikimit është bindshëm më i gjati, duke qenë se ato duhet të ishin në dispozicion para dy muajsh.

Prizma tashmë ka publikuar se paratë për pagesën e mediave ende nuk janë në dispozicion të KSHZ-së, gjegjësisht deri më tani janë paguar vetëm mediat që kanë pasur reklama partiake në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa për zgjedhjet e dyta dhe parlamentare janë në pritje të ribalancimit të buxhetit. I gjithë procesi i riformimit të arkës së shtetit, raporton Prizma, pritet të kalojë në procedura parlamentare deri në gjysmën e parë të gushtit.

Megjithatë, nuk është e qartë pse të gjitha pasqyrat financiare të portaleve online nuk janë të disponueshme për publikun, pavarësisht se paratë nuk janë paguar, pasi mediat duhet t’i kishin dorëzuar tashmë në institucionet kompetente.

Gjatë hulumtimeve Trpkovski ka vënë re se kalkulimet ndonjëherë janë të përziera, përkatësisht disa shuma llogariten me TVSH, e disa pa TVSH.

“Përveç që nuk ka informim të mjaftueshëm për situatën, i gjithë sistemi mbështetet në rregulla totalisht të paqarta”, thotë ai.

Përndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve këtë vit ka llogaritur një shumë rekord të parave të dedikuara për reklama politike të paguara dhe nga llogaritjet rezultoi se nga buxheti për mediat për zgjedhjet e dyfishta do të ndahen 10.6 milionë euro.