Reagime ndaj jotransparencës së procesit të negocimit dhe marrëveshjes midis Qeverisë së RMV-së dhe Britanisë
Platforma e Organizatave Civile për Luftimin e Korrupsionit reagon ndaj jotransparencës në procesin e negociatave të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me partneritetin për realizimin e projekteve infrastrukturore, ose siç e quan Qeveria, “Marrëveshje Qeveri me Qeveri”. Kjo është marrëveshja e dytë e këtij lloji, dhe ashtu si marrëveshja me Republikën e Hungarisë, ajo nënshkruhet pa u informuar paraprakisht dhe në kohë publiku për detajet dhe kushtet që pranohen, transmeton Portalb.mk.
Platforma konsideron se, ashtu siç ka transparencë të plotë në shpenzimin e parave nga kjo kornizë e kredisë, Qeveria duhej të siguronte transparencë edhe në procesin e negociatave dhe kushteve që janë përfshirë në marrëveshjen të cilën Qeveria e pranoi në seancën e saj më 20 maj 2025 dhe e nënshkroi më 22 maj në Londër.
Së këndejmi, Platforma i kërkon Qeverisë t’i nxjerrë publikisht detajet e marrëveshjeve të tilla përpara se të nënshkruhen marrëveshjet, dhe jo pasi ato të jenë nënshkruar dhe kushtet e tyre tashmë të jenë pranuar. Në fakt, në Strategjinë për menaxhim me borxhin publik 2025-2027 thuhet qartë se gjatë menaxhimit të borxhit, një nga parimet është “sigurimi i transparencës në procesin e krijimit të borxhit”.
Marrëveshjet për partneritet strategjik me vende mike si Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të keqpërdoren për të negociuar fshehurazi dhe për t’i ngarkuar qytetarët me borxhe, për kushtet për të cilat ata nuk kanë qenë të informuar.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit Gareth Thomas nënshkruan dje marrëveshjen për zbatimin e objekteve infrastrukturore në Londër, e cila i jep vendit mundësinë të marrë kredi prej pesë miliardë paundësh për zbatimin e projekteve kapitale.