Raporti i Inteligjencës Amerikane nuk parashikoi luftë në Ballkan

Alarmi për një luftë të mundshme në Ballkan shpërndahet herëpas’here në mediat shqiptare, duke hiperbolizuar faktet dhe të dhënat. E tillë është narrativa që i bie sërish këmbanave të luftës, duke marrë shkas nga një raport i Inteligjencës Amerikane. Ndryshe nga ajo që shpallin mediat, raporti paralajmëron dhunë të lokalizuar ndëretnike, një rrezik i pranishëm në rajon por që sipas ekspertëve nuk pritet të materializohet në një luftë. Titujt apo lajmet e ekzagjeruar me narrativën e luftës kanë si qëllim marrjen e klikimeve duke përhapur panik tek lexuesit, shkruan Faktoje.al

Alarm! Inteligjenca Amerikane: Luftë në Ballkan? Eksperti: Po synohet Serbia e Madhe

Kështu njoftoi transmetuesi shtetëror i Shqipërisë, RTSH në 15 mars, duke cituar një raport të Inteligjencës Amerikane që sipas tyre parashikonte një luftë të mundshme në Ballkan.

“Inteligjenca Amerikane parashikon që brenda vitit 2024 Ballkani Perëndimor mund të hyjë në një situatë destabiliteti, do të ketë dhunë, do të ketë trazira ndëretnike” – njofton RTSH e cila zhvilloi një diskutim në studio rreth 30 minuta me këtë temë.

Ajo për të cilën flet Radio Televizioni Shqiptar është një raport ODNI, Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Ky raport, ka parashikuar se gjatë vitit 2024 rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të ketë një rritje të rrezikut të dhunës së lokalizuar ndëretnike.

Ballkani Perëndimor mund të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024. Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet e BE-së apo ato euroatlantike.” – Raporti i ODNI për vitin 2024.

Si shembuj për këto përplasje të lokalizuara ndëretnike raporti ofron situatën e krijuar në Banjskë gjatë vitit 2023 dhe provokimet e Milorad Dodik në Bosnje për shkëputjen e Republikës Srpska.

Në asnjë moment raporti nuk flet për përfshirje të Ballkanit në luftë, apo edhe dy shteteve të rajonit në përplasje me njëri-tjetrin, ndryshe nga sa lë të kuptohet transmetuesi shtetëror RTSH.

Lajmi për “destabilitet në Ballkan” u raportua në disa media kryesore në vend.

Një tjetër lajm njoftonte se raporti i Washingtonit parlajmëron se Ballkani Perëndimor ‘rrezikon të destabilizohet nga konflikte të nxitura nga vende që kanë interes të kontrollojnë rajonin, si Rusia’.

Artikulli vijon duke cituar në mënyrë të shtrembëruar raportin:

“Ballkani Perëndimor me shumë mundësi do të përballet me rrezikun e shtimit të dhunës ndëretnike gjatë vitit 2024.” – shkruan artikulli, ku vërehet përjashtimi i fjalës “të lokalizuar” në parashikimin për rrezik të mundshëm të shtuar ndëretnik.

Studiesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Kristafi, thotë për Faktoje se rreziku për konflikte të lokalizuara në rajon ekziston, i dëshmuar nga rasti i Banjskës, por ideja e një lufte në Ballkan është diçka e pamundur.

*faksimile e keqcitimit të raportit të ODNI në media
*faksimile e keqcitimit të raportit të ODNI në media

Nuk mendoj se ekziston mundësia e një lufte në Ballkan. Rreziku i konflikteve të lokalizuara në rajon ekziston, por nuk duhet të ekzagjerohen, sepse sot rajoni nuk është njëlloj si 20 apo 30 vjet më parë. Sot prania e NATO-s në rajon është shumë herë më e madhe dhe sidomos në Kosovë është vendimtare për sigurinë e saj. Nuk jemi më në vitet 90-të. Serbët, që ishin nismëtarët e luftërave në ato vite, i kanë marrë mësimet nga gabimet e tyre.” – Ledion Kristafi, studies i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas Kristafit, prania e NATO-s është një vijë e kuqe që serbët nuk janë as të gatshëm dhe as të përgatitur ta kalojnë.

“Pra, në këtë situatë ku ndodhemi rreziku teorikisht është, por që ky rrezik të materializohet nga ana e serbëve është e vështirë për t’u menduar, sepse serbët dhe Serbia në Ballkan do të përballeshin me pasoja dhe sanksione të tilla që nuk janë në gjendje t’i përballojnë.” – argumenton Kristafi.

Në nëntor 2023, pas një paralajëmërimi të presidentit ukrinas Volodymir Zelensky për kujdes të shtuar në Ballkan për shkak të ndërhyrjes ruse në rajon, Sekretari i Përgithshëm i NATO-s Jans Stoltenberg theksoi gjithashtu se ‘nuk shihte ndonjë kërcënim të afërt ushtarak kundër ndonjë aleati të saj’.

Një faktor vendimtar për të ardhmen e rajonit, sipas studiuesit Kristafi, do të jetë rezultati i luftës në Ukrainë.

“Një fitore e mundshme e Rusisë në Ukrainë, do e dobësonte BE-në dhe do i jepte zemër serbëve veçanërisht në Bosnje Hercegovinë të vepronin. Por Bosnja është një shtet që nuk funksionon dhe BE-ja dhe SHBA si me fitoren e Rusisë si pa fitoren e Rusisë, duhet të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për Bosnjen.” – vlerëson Kristafi.

Përdorimi i titujve të ekzagjëruar apo interpretimi i raporteve apo deklaratave për të “paralajmëruar” nisjen e luftërave është diçka e përsëritur në media, përfshi atë shqiptare. Shpesh herë Faktoje ka përgënjeshtruar tituj të tillë të përdorur si “karrema klikimesh” që më shumë sesa informojnë lexuesit, përhapin frikë te ata.