Rama në KiE: Raporti i Dick Martyt u financua nga Putini, duhet ta hiqni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar Këshillit të Evropës duke thënë se duhet ta heqin raportin e vitit 2011 të Dick Martyt, në të cilën u ngritën akuza për trafikim të organeve njerëzore nga UÇK-ja në Hagë, pasi një raporti i tillë, siç thotë Rama, ka qenë i sponsorizuar nga presidenti rus Vladimir Putin, raporton Koha.net.

Në takimin me liderët e KiE që po mbahet në Islandë, Rama ka ngritur paralele mes ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ndërsa akuzat për trafikim organesh ka thënë se janë tërësisht të pabazuara.

“Kërkoj ndjesë sepse më duhet të bëj një rrëfimin jo fort të këndshëm. Si shqiptar është e pamundur të shmang heqjen e paraleles mes Ukrainës e Kosovës, mes Zelenskyt e Thaçit. Në këtë samit, nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli, Federatës Ruse. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e mbështetur në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësues të Putinit në KiE. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u pritën si pikënisja e një fushate njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e botës demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2011 i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga presidenti Putin. Akuza të pabazuara për trafikim të organeve njerëzore u ngritën si një fushatë kriminale që njollosi Shqipërinë dhe Kosovën, dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, m’u duk sikur pash presidentin Zelensky të gjykuar 10 vjet më vonë nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi akuza absurde”, ka thënë Rama para liderëve evropianë të mërkurën.

Kryeministri i Shqipërisë tutje ka thënë se nuk ka mundur të rri i heshtur për këtë çështje, ndërsa ka shtuar se KiE e ka për detyrim të rishikojë çdo gabim që mund t’i hapë rrugë heqjes së këtij raporti.

“Ndjesë për këtë çelje brutalisht jokonvencionale, që mund të thuhet se ka thyer në copa pianon ku u luajt kënga Ave Maria, por është tejet shkurajuese të dish se situata ku ndodhet ish-presidenti i Kosovës dhe lufta çlirimtare e saj nisi nga Këshilli i Evropës. Do të isha fajtor nëse do të rrija i heshtur, se asambleja e Këshillit Moral ka detyrimin që të gjykojë dhe rishikojë çdo gabim e në këtë rast t’i hapë rrugë tërheqjes së raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e organeve njerëzore të çuar nga organet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë para 12 vjetësh ku shumë votuan atë raport të turpshëm”, ka theksuar Rama.

Në fund, Rama bëri të ditur se Shqipëria e ka qartë marrëdhënien me regjimin e Moskës.

“Shqipëria nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me të ka qenë jo ekzistuese që me vdekjen e Stalinit. Shqipëria është shumë e vogël për të ndikuar në fatet për një luftë të tillë vendimtare për të ardhmen e botës, por çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën, e kemi bërë për qëndresën e Ukrainës. Kjo është gjëja më e bukur që do të marrim nga ky samit në Islandë”, ka shtuar ai.