Radev: Politika e Shkupit është e drejtuar kundër parimeve evropiane

Presidenti bullgar Rumen Radev sot ka dalë me qëndrim në të cilin pretendon se politika e Shkupit është e drejtuar kundër parimeve evropiane, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e re e fqinjit tonë ka treguar qartë se frika më e madhe e klasës politike të këtij vendi është njohja e vetë ekzistencës së fjalëve “bullgar”. Kjo është një politikë e drejtuar drejtpërdrejt kundër parimeve evropiane dhe Vendimet janë marrë me konsensus të të gjitha vendeve anëtare, kundër obligimeve ndërkombëtare, por mbi të gjitha kundër qytetarëve të tyre, të cilët qartë i kanë shprehur ambiciet e tyre për zhvillimin evropian të vendit”, tha Radev në një deklaratë për gazetarët në Sofje.

Ai shtoi se pret veprime korrekte si nga qeveria bullgare ashtu edhe nga institucionet evropiane “për të ruajtur parimet dhe normat evropiane në procesin e zgjerimit”.

“Kjo do të thotë – të garantohet pakthyeshmëria dhe qëndrueshmëria në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe kritereve kryesore në respektimin e të drejtave të njeriut”, thotë Radev.

Sipas tij, nëse BE-ja nuk avokon për një perspektivë evropiane në Ballkan, të bazuar në parime, norma dhe vlera të qarta, “atëherë herët a vonë Ballkani do ta përballë Evropën me ballkanizim”.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë reagoi më 25 qershor pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Korniza negociuese me BE-në mund të ndryshohet. Në reagim thuhet se ngritja e ideve për rinegociim të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare vetëm sa do të çojë në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në ditën e tij të parë si kryeministër, Hristijan Mickoski deklaroi se Korniza negociuese me Bashkimin Evropian mund të ndryshohet. Ai tha se kur të ketë një qeveri politike në Bullgari, ai është i gatshëm të negociojë për të paktën tre zgjidhje.