Qytetarët në RMV, sërish në shënjestër të sulmeve fishing, mos i hapni mesazhet për komplikime të supozuara me dërgesat postare

Qytetarët po pranojnë një numër të madh të SMS mesazheve në të cilat pretendohet se ka komplikime gjatë dorëzimit të dërgesave të tyre. Është ky një tjetër sulm fishing që ka për qëllim të keqpërdorë informacionet lidhur me kartelat e kreditit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Pakoja juaj ka mbërritur në magazinë dhe nuk mund t’ju dorëzohet për shkak të informacionit jo të plotë për adresën. Ju lutemi konfirmoni adresën tuaj në linkun e mëposhtëm”, thuhet në mesazhin të cilin këto ditë po e pranon një numër i madh i qytetarëve.

Krahas kësaj mesazhi përmban një link që i drejton përdoruesit ta hapin atë. Nëse ndiqni linkun në faqen e tij thuhet se dorëzimi nuk ishte i suksesshëm për shkak të një adrese të paqartë dhe më pas kërkon që të plotësoni informacion për pagesë online.

Për një rast të ngjashëm Portalb.mk dhe Meta.mk shkruajtln muajin e kaluar – se si sulmet e fishing po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe për mbrojtjen e të dhënave është e rëndësishme që të mos hapen linqe të panjohur dhe të mos jepen të dhëna derisa të konfirmohet legjitimiteti i kërkesës .

“Pasi klikimit në një link të rremë, përdoruesi dërgohet në një uebfaqe të rreme të krijuar nga kriminelët kibernetikë, e jo në një link të sigurt dhe i kërkohet që t’i plotësojë të dhënat personale. Pikërisht një skenar të tillë pamë kur disa universitete dhe biznese u mashtruan nga një fushatë që pretendonte të zgjidhte një problem gjatë dërgesave me FedEx. Ky model është një përkujtim se çdokush mund të bjerë në grackën e kriminelëve kibernetikë dhe kjo është arsyeja pse përdoruesit duhet të jenë gjithmonë të kujdesshëm se çfarë klikojnë, si dhe të sigurohen që kërkesa që u është dërguar të jetë e vlefshme. Prandaj, është gjithmonë mirë ta kontaktoni burimin e emailit për të verifikuar legjitimitetin e kërkesës”, thuhet në shpjegimin e kompanisë Kabtel.

Përndryshe një sulm fishing përshkruhet si një mesazh i rremë që duket i vërtetë, por që ka për qëllim të mashtrojë pranuesin që ai të zbulojë të dhëna personale duke vizituar një uebfaqe të rreme ose duke hapur një bashkëngjitje që është e infektuar me një virus.

Edhe sipas  publikimit të botuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, format më të shpeshta të sulmeve fishing janë paralajmërimet e rreme nga bankat ose organizatat e tjera financiare në të cilat përdoruesit i kërkohet të japë të dhënat personale për të parandaluar mbylljen e llogarisë, uebfaqet mashtruese që e bindin përdoruesin të paguajë një shumë të caktuar parash për të blerë një produkt me ç’rast kryhet një pagesë në një llogari të rreme, mesazhet e rreme nga një administrator në të cilat kërkohen të dhëna të ndryshme nga përdoruesi, si për shembull një fjalëkalim, ose njoftimet e ndryshme me të cilat mashtruesit përpiqen të zhvasin para për një bamirësi të rreme.