Qytetarët kërkojnë që shtrati i “Shkumbinit” të pastrohet menjëherë, nuk u intereson kush i ka ingerencat (VIDEO)

Pas prerjes së drunvje përgjatë shtratit të Lumit “Shkumbin” në Tetovë dhe mosmarrëveshjeve midis Komunës së Tetovës dhe Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë” për largimin e drunjve nga shtrati, sot kanë reaguar edhe banorët. Ata kërkojnë pastrim të menjëhershëm të shtratit të lumit, pasi frikohen nga pasojat që mund të sjellin vërshimet e mundshme, raporton Portalb.mk.

Një nga qytetarët sot kërkoi që në mënyrë imediate të hiqen drunjtë nga shtrati i lumi pasi të gjitha shtëpitë që janë rreth shtratit të lumit janë të rrezikuara.

“Me gëzim e pritëm aksionin që filloi të ndërmerret, ngase unë jetoj në pjesën e sipërme të shtratit të lumit, aty gati se u bë si pyll nga drunjtë që dolën nga mbeturinat dhe mos përpjekja e organeve pararendëse të cilat nuk e panë të arsyeshme asnjëherë të merren me shtratin e lumit, përveç se ndonjëherë që është bërë shkel e shko mënjanimi i gurëve… Nuk shoh se janë prerë drunjtë jashtë shtratit të lumit, por në kuadër të lumit, ne e dimë se shtrati i lumit duhet të jetë gjithmonë i lirë”, tha një qytetar.

“Duhet të vazhdojmë (me protestë), shtrati nuk duhet të jetë në këtë gjendje”, tha një qytetar.

“Patjetër që rrezikon edhe pronat që gjenden në këtë pjesë…Kërkojmë nga drejtoria e pyjeve që ta bëjë pastrimin e drunjve nga shtrati i lumit, pasi ata ishin të cilët reaguan… Ne kërkojmë direkt që të pastrohet shtrati i lumit, kush i ka ingerencat le ta bëjë punën e vet pa asnjë qëllim tjetër”, tha një qytetar tjetër.

Dhjetëra dru janë prerë në shtratin e lumit Shkumbin në drejtim të Banjës së Tetovës.

Ky veprim i ndërmarrë nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetova është bërë për të pastruar shtratin e lumit dhe për të parandaluar fatkeqësitë në rast të vërshimeve.

Megjithatë, aksioni u ndalua nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë” të cilët thonë se komuna nuk ka leje për transportim të druve, me çka drunjtë kanë mbetur të shpërndarë gjithandej në shtratin e lumit Shkumbin.

Rasti është raportuar edhe në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë.