U prenë disa dru përgjatë lumit ‘Shkumbin’ në Tetovë, institucionet mes mosmarrëveshjeve

Dhjetëra dru janë prerë në shtratin e lumit Shkumbin në drejtim të Banjës së Tetovës. Ky veprim i ndërmarrë nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetova është bërë për të pastruar shtratin e lumit dhe për të parandaluar fatkeqësitë në rast të vërshimeve. Megjithatë, aksioni u ndalua nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë” të cilët thonë se komuna nuk ka leje për transportim të druve, raporton Portalb.mk.

Drejtori i NPK Tetova, Samet Bislimi thekson se në rast të vërshimeve dikush duhet të bartë përgjegjësi për gjendjen e krijuar, ndërsa thekson se “Pyjet e Maqedonisë” pasi i penguan të punojnë nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

“Policia e Pyjeve thanë se ata do të largojnë drutë. Sipas tyre ne nuk kemi të drejtë të bëjmë transportimin e tyre, se qëllimi i tyre është që të pengojnë punën tonë, kjo shihet qartë, gjë që mund të vërtetohet edhe në terren. Cila është zgjidhja që ofruan ata? Asgjë, nuk i kanë larguar, kush do të mbajë përgjegjësi pasi na penguan, kush mbanë përgjegjësi në rast vërshimesh”, tha Bislimi.

Nga Komuna e Tetovës për këtë rast e akuzojnë pushtetin qendror se ju bën presion politik. Bislimi ka theksuar se  prerja e druve është bërë brenda lumit dhe jo në pyje, “dhe për këtë arsye gjithçka është në rregull pasi është obligimi ynë pastrimi dhe mirëmbajtja e lumit Shkumbin”.

Drutë e prerë përgjatë Lumit Shkumbin në drejtim të Banjës së Tetovës. Foto: Portalb.mk
Drutë e prerë përgjatë Lumit Shkumbin në drejtim të Banjës së Tetovës. Foto: Portalb.mk

Nga ana tjetër, zëvendës drejtori i Pyjeve të Maqedonisë Safet Miftari theksoi se Komuna e Tetovës nuk ka bërë kërkesë për prerjen e drunjve.

“Ndërmarrja Publike e Tetovës ka të drejtë të bëj një kërkesë te ne të priten drutë, të ngarkohen nga ana jonë, drutë janë tonat, çdo gjë jashtë kësaj i tejkalon ingerencat dhe kjo është shkelje. Drutë si i pamë në foto ata kishin bërë ngarkesë dhe duhet të jenë falënderues që ne nuk ua morëm edhe kamionin, ngaqë kamioni me dru pa leje ose vulë ose pa shenjëzim mbi një kubik e gjysmë kemi të drejtë t’i konfiskojmë kamionët. Ne nuk e bëmë atë gjë duke u munduar t’i kursejmë”, tha Miftari.

Ai kërkoi që NPK të drejtohet me kërkesë deri te Pyjet e RMV-së që të sinjalizohen se cilat dru duhet të priten.

Rasti është raportuar edhe në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë.

Përndryshe, dje në Tetovë pati reshje shiu përgjatë gjithë ditës.