Qytetarët e RMV-së në vitin 2023 shpenzuan 650 milionë euro për blerje online

Në vitin 2023, konsumatorët nga Maqedonia e Veriut kanë shpenzuar gjithsej 649,3 milionë euro në pikat e shitjes virtuale në vend dhe jashtë vendit, njoftoi Shoqata për Tregti Elektronike e RMV-së. Kjo shifër është 18 përqind më e lartë se në vitin 2022, raporton Portalb.mk.

Numri total i transaksioneve gjithashtu është rritur krahasuar me vitin 2022, me 15.2 përqind, përkatësisht gjatë vitit të kaluar janë kryer 19.29 milionë transaksione.

Individët dominojnë si konsumatorët kryesorë të tregjeve online, ata përbëjnë 70.2 përqind të transaksioneve online.

Vlera mesatare e transaksioneve online është 33.7 euro, që është 2.3 për ind më e lartë se në vitin 2022. Rritja e vlerës mesatare të transaksioneve online është më e lartë te personat juridikë – 45.6 euro, dhe rritje më e madhe vërehet – 6.8 përqind krahasuar me personat fizik, ku rritja është vetëm për 1.05 përqind, dhe vlera mesatare është 30.3 euro.

Nga ana tjetër, vërehet rënie e transaksioneve me tregtarët elektronikë vendas. Pjesa e e-tregtarëve vendas ishte 72 përqind e të gjitha transaksioneve në vitin 2022, dhe në vitin 2023 kjo shifër është 70 përqind. Megjithatë, vlera totale e parave të transferuara te e-tregtarët vendas arrin në 453.6 milionë euro, që paraqet rritje prej 15.2 përqind krahasuar me vitin paraprak.

Në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 1703 pika virtuale të shitjes, që është 105 më shumë se numri i përgjithshëm në vitin 2022. Tre të katërtat e pikave të shitjes kanë qenë aktive, pra kanë pasur të paktën një transaksion gjatë vitit.

Kryetarja e Shoqatës për Tregti Elektronike tëRMV-së, Nina Angellovska, njoftoi se shoqata këtë vit do të mbështesë edhe tregtinë elektronike përmes aktiviteteve si regjistri i e-tregtarëve, distinktivi për e-tregtarët e verifikuar dhe fushata informative dhe edukative, me qëllim që të ndikojë në informim, ndërgjegjësim dhe vetëmbrojtje të qytetarëve.