Qytetarët do të rimburësohen nëse i kthejnë shishet e plastikës, qelqit e kënaçet në Kosovë

Ministri i Mjedisit, Palnifikimit Hapësinor dhe infrastrukturës, Liburn Aliu, ka paralajmëruar se në Kosovës së shpejti do të aplikohet Sistemi i Rimbursimit të Depozitave (SRD), raporton Koha.net.

“Tashmë kemi hapur zyrtarisht thirrjen për Administrator të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave (SRD-së)”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Me realizimin e këtij sistemi, qytetarët do të mund t’i kthejnë shishet e zbrazëta të plastikës, qelqit e kënaçet dhe t’i marrin sërish paratë të cilat i kanë si depozitë, kur kanë blerë produkte në shishe e kënaçe.

“Sistemi i Rimbursimit të Depozitave, do të ulë ndjeshëm ndotjen nga shishet plastike, shishet e qelqit dhe kënaçet e aluminit. Ky Sistem njëherësh është një mekanizëm ku konsumatorët paguajnë një depozitë për produkte si shishe plastike apo të tjera dhe pastaj e marrin këtë depozitë përsëri kur e kthejnë produktin e zbrazët”, ka shkruar Aliu.

Ai ka ftuar të gjithë të interesuarit të aplikojnë në thirrjen për Administrator të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave.