QMK: Nuk është punë e zjarrfikësve të heqin gjarpërinjtë, shërbimi paguhet

Në Qendrën e Menaxhimit të Krizave thonë se kohëve të fundit shpesh marrin thirrje nga vendet e banimit me kërkesë për largimin e gjarpërinjve. “Fatkeqësisht nuk ka shërbim të specializuar dhe kjo nuk është punë e zjarrfikësve”, thonë nga QMK dhe tregojnë se kanë kontakte nga persona që largojnë gjarpërinjtë, por shërbimi paguhet, transmeton Portalb.mk.

“Nuk ka asnjë shërbim të specializuar për kapjen e gjarpërinjve. Më herët qytetarët zemëroheshin kur personat në shërbim në numrin 112 nuk kishin asnjë informacion se kush i largon gjarpërinjtë, ndërsa tash kur kujdestarët gjenin kontakte nga personat që merren me to, sërish zemërohen sepse një shërbim i tillë nuk është falas”, thonë nga QMK dhe shtojnë se zjarrfikësit nuk mund të thirren për asnjë punë, sidomos jo për një të tillë specifike në sezonin e zjarreve”, thonë nga QMK.

Nga aty shtojnë se shfaqja më e shpeshtë e gjarpërinjve në zonat e banuara tregon se pushteti vendor dhe sigurisht në nivel më të lartë institucionet e specializuara të fushës veterinare, brenda mundësive të tyre, duhet të përpiqen në bashkëpunim me profesionistë të fushës veterinare t’ju ndihmojnë qytetarëve.

Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) para disa ditësh bëri thirrje që të kihet kujdes gjatë ecjes në natyrë për shkak të pranisë së gjarpërinjve. Nga atje ata thonë se gjarpërinjtë zakonisht ikin nga njerëzit, por nëse ata shqetësohen ose shkelni aksidentalisht ose futen në kurth atëherë ata mund të sulmojnë dhe kafshojnë.

QMK kujton se gjarpërinjtë janë pjesë e natyrës dhe nuk rekomandohet vrasja e tyre.