Qeveria e RMV-së: Plani Operativ për punësim për vitin 2025 është rritur për 7.5 milionë euro 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se Plani Operativ për punësim për vitin 2025 kap vlerën prej 2.5 miliardë denarë apo 40 milionë euro dhe përfshin mbi 16.000 qytetarë. Krahasuar me vitin e kaluar, 2024, Qeveria thotë se e ka rritur këtë plan për një shumë prej 7.5 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Me Planin Operativ fokusi vendoset te të rinjtë dhe personat e papunë, duke treguar kështu se për ne si Qeveri, prioriteti kryesor mbetet ulja e papunësisë përmes krijimit dhe hapjes së vendeve të reja të punës për qytetarët.

“Plani Operativ përfshin tri kategori, edhe atë: të rinjtë të cilët duam t’i mbajmë në vend përmes këtyre masave, personat e papunë dhe shfrytëzuesit e ndihmës minimale të garantuar me qëllim përmirësimin e standardit të tyre jetësor”, thonë nga Qeveria.

Plani Operativ për punësim këtë vit përfshin masa të synuara posaçërisht për të rinjtë ose mbështetja për vetëpunësim këtë vit është zgjeruar me dy nënmasa të reja edhe atë:

  • Masa – Mbështetje për vetëpunësim ka të bëjë me persona të papunë me arsimim së paku fillor, që të mund të fillojnë një biznes të tyre. Shuma e mbështetjes financiare për këtë masë është 7.000 euro si mjete të pakthyeshme për fillimin e biznesit.
  • Shuma e nënmasës për mbështetje për vetëpunësim të të rinjve të papunë deri në moshën 29 vjeç është 10.000 euro gjegjësisht ato janë mjete të pakthyeshme për themelimin e një biznesi të tyre.

“Risi në këtë plan operativ është gjithashtu edhe nënmasa për mbështetje për vetëpunësim përmes bashkimit të shfrytëzuesve deri në dy persona të mund të themelojnë biznes. Shuma e mbështetjes financiare kap vlerën nga 14.000 deri në 20.000 euro, ku 20.000 euro janë të dedikuara për bashkëthemeluesit që janë deri në moshën 29 vjeç.

Kushti i vetëm paraprak për të gjitha këto masa është që personat e papunë të jenë të regjistruar si kërkues aktivë të punës në qendrat për punësim në gjithë vendin”, thonë nga Qeveria.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut është regjistruar ulje e numrit të të punësuarve për 4.7 përqind në industri gjatë muajit dhjetor të vitit 2024, krahasuar me dhjetorin paraprak.

“Sipas grupeve kryesore industriale, numri i të punësuarve në industri gjatë muajit dhjetor të vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shënon rënie tek Energjia për 3.3 % te Prodhimet kapitale për 3.0 %, Produktet intermediare, përveç energjisë për 6.3 % dhe Prodhime jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 7.9 %”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Rritje raportohet të ketë prodhimi i qëndrueshëm për konsum të gjerë (25.7 %), ndërsa rritja më e theksuar është regjistruar te prodhimi i makinerive (36 %).