Pse na duhet BE-ja?

Pasi qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë përcaktuar për Bashkimin Evropian (BE), kjo nënkupton një mënyrë të re të menduarit, vepruarit, vlerësimit të historisë dhe shikimit të botës. Njëkohësisht, përkushtimi ndaj vlerave evropiane është një koncept më i gjërë nga çfarë deklarojnë zyrtarët e shteteve ballkanike. Për lexuesit është me rëndësi të shihet konstrukti historik social i shteteve të BE-së dhe jetës atje.

Mënyra e re e të menduarit ndryshoi shpejt pas dobësimit të rolit të kishës në jetën politike. Reformacioni, Rilindja evropiane dhe së fundi romantizmi hapën një perspektivë të re për Evropën e cila po dilte nga epoka e errët. Një ndikim në Evropën e re luajtën filozofët dhe shkenctarët e Epokës së Artë Islamike dhe sigurisht të asaj greke dhe romake. Po ashtu ndikim të madh në reformimin e jetës shoqërore dhe politike evropiane deri në shek. e 20- të patën personalitetet e kohës si: Shileri, Makiavelli, Lloku, Hum, Volteri, Kanti, Hegeli, Marksi, Engelsi dhe shumë figura tjera të kohës.

Në anën tjetër të Evropës, në Ballkan pjesa dërmuese e popullatës vazhdonte të jetonte me zakonet e vjetra që lanë perandoritë. Rajoni me një ekonomi të pazhvilluar dhe shumë pak i ndikuar nga zhvillimi industrial nuk premtonte shumë. Kishte përpjekje për një transformim të Ballkanit atëherë kur Evropa Perëndimore pas Kongresit të Vjenës (1814-15) ishte në paqë deri në vitin 1914-të. Mirëpo, duhet pranuar se asgjë nuk ndodhi. Ngritja e shteteve nacionale në Ballkan e vështirësoi paqësimin e Ballkanit. Luftërat ruso-turke sollën një gjendje edhe më të rëndë për popujt me përkatësi fetare të ndryshme. Serbët, grekët, bullgarët, malazezët dhe rumunët arritën të shfrytëzojnë kartën fetare, duke i vendosur themelet e shteteve mbi baza kombëtare. Tek shqiptarët proceset nuk shkonin në favor të pavarësimit dhe ngritjes së rrymave të forta pro- perëndimore.

Kryengritja e Dervish Carës (1843-44) dhe idetë për shkëputjen e shqiptarëve nga Porta e Lartë paraqesin lëvizje në frymën evropiane të shikimit të fenomeneve dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare mbi baza të romantizmit evropian. Mirëpo, fati dhe rrethanat historike ndonjëherë luajnë rol qendror. Kombet e vogla dhe pa fuqi ekonomike nuk kanë fat të mirë në përfundimin e suksesshëm të shtetësinë së tyre, dhe as kanë një drejtim të qartë në lidhjen e aleancave politiko-kulturore. Zakonisht kur perandoritë shkatërrohen, kombet pa fuqi dhe pa fajin e tyre bëhen pjesë të pazareve të konferencave ndërkombëtare. Këtu ose bien në zonën e duhur të interesit ose pësojnë tragjedi kombëtare. Dhe kur popujt nuk kanë kapacitete të shpërndajë kulturë dhe ushrojnë ndikim në qendrat e vendosjes atëherë të njëjtit në mungesë të orentimit dhe zgjidhjes bëhen pjesë të ideologjive dhe sistemeve të huaja. Kombet e vogla në këtë rast duhet t’i admirojnë të fuqishmit e me dëshirë apo jo detyrohen ta bëjnë pjesë të jetës sociale dhe politike mënyrën e të menduarit dhe të qeverisjes një model të huaj.

Në fund të shek të 19-të dhe fillim të shek. të 20-të nga të menduarit dialektik që bazën e kishte tek shkencëtarët gjermanë u zëvendësua me materializmin dialektik- atë të interpretimit të fenomeneve sipas modelit sovjetik duke e keqinterpretuar Marksin në luftën e klasave dhe ekonominë politike. Pra nuk janë vetëm perandoritë që lënë pasoja tek një komb në vendosjen më dhunë të pushtetit. Veprimet individuale dhe grupore mund të shpien në vuatje të reja ose në aprovimin e koncepteve të ngushta dhe pa perspektivë për kombet që lindën pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, asaj Habsburge dhe pas shembjes së Rusisë Cariste. Aq më keq të njëjtat koncepte u ndoqën në Rusinë post-sovjetike me theks të veçantë në shtetet e Ballkanit ku ende vazhdohet të jetohet dhe veprohet me metoda të së kaluarës. Pasi një pjesë e konsiderushme e popullatës është ndeshur me vlerat evropiane kjo nuk përbën problem që qytetari i thjeshtë ta ndjejë Evropën shumë para se qeveritë e tyre t’i bëjnë reformat e vërteta. Në fakt, banorët kanë ndryshuar mënyrën e jetesës dhe të menduarit.

Aktualisht për banorët e rajonit ky model paraqitet si më i miri dhe më i pranueshmi duke mos ua cënuar identitetin fetarë dhe normat tjera. Me rëndësi është të mos jetohet dhe veprohet me ide dhe koncepte që quhen vlera nga një pjesë e cila bën përpjekje t’i bëjë standarde të reja.

Nuk ishin të kota përpjekjet e idealistëve evropianë që të krijohet një Evropë e re post- fetare duke respektuar njeriun pa dallime kombëtare, fetare dhe gjinore. Në lëvizjet e tilla shekullore përveç të mirave të çlirimit prej zakoneve të vjetra shkuarja drejt së resë mbart një rrezik tjetër. Andaj kombet nuk veprojnë gjithmonë të pavaruara, por në një sistem të përbashkët me të mirat dhe anët negative. Aplikimi i racionales dhe dominimi i koncepteve të vërteta mbetet qëllimi i shteteve apo popujve pa kapacitete për të bërë më shumë.

Ndonjëherë e keqja bie edhe mbi shtetet që kanë pasur rol qendror në ngjarjet në politikën botërore. Për të tejkaluar vështirësitë aktuale dhe pasur një qëllim se pse na duhet apo jo Evropa, me siguri se një mori personalitetesh me ndikim duhet të veprojnë ashtu siç bënë në Evropën e shek. të 16-të e më pas filozofët e Evropës Perëndimore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.