Pse disa amerikanë jo të bardhë përkrahin ekstremizmin e krahut të djathtë?

Është një prirje në rritje që sfidon normën: disa njerëz me ngjyrë po bashkojnë forcat me grupet që mbrojnë hapur kauzat e krahut të djathtë, përfshirë supremacinë e bardhë dhe racizmin, transmeton VOA.

Të nxitur nga pakënaqësitë dhe urrejtjet e përbashkëta, latino-amerikanë, afrikano-amerikanë dhe grupe të tjera jo të bardhësh, po iu bashkohen radhëve të disa prej grupeve në rritje të krahut të djathtë ekstrem të Amerikës.

Vrasja masive e fundit në Teksas hodhi dritë mbi fenomenin, duke ringjallur një debat rreth asaj që i tërheq jo të bardhët drejt militantëve të ekstremit të djathtë dhe përse grupet ekstremiste i përqafojnë ata.

Mauricio Garcia, 33-vjeçari i armatosur, që vrau tetë persona në Allen të Teksasit, më 6 maj, ishte latinas, që dyshohet se mbështeste supremacizmin e bardhë.

Policia e vrau Garcia-n, por ai la pas një mori postimesh në mediat sociale, që tregonin simpatinë e tij për neo-nazizmin dhe supremacinë e bardhë.

Ai kishte postuar foto të nazistëve dhe neo-nazistëve me flamurin me kryqin nazist, duke i quajtur ata “njerëzit e llojit tim”. Në një tjetër, ai iu referua vetes si “një supremacist i bardhë”.

“Ne do ta bëjmë Amerikën të bardhë përsëri,” mburrej ai në një postim tjetër.

Çfarë e shtyu një latinas të përqafonte pikëpamjet e supremacizmit të bardhë? Garcia ofron disa të dhëna: Duke iu referuar “fazës së urrejtjes ndaj vetvetes”, ai flet kundër “hispanikëve të dështuar” dhe pranon se do të donte të ishte i bardhë “sepse raca ime më trajton si …. [fjalë ofenduese]”.

“Ky është thelbi i fuqisë së epërsisë së bardhë: dëshira për t’u identifikuar me kategorinë racore, që mendon se është më e fuqishme në shoqërinë ku jeton,” thotë Heidi Beirich, një studiuese e njohur e ekstremizmit dhe bashkëthemeluese e Projektit Global kundër Urrejtjes dhe Ekstremizmit.

Vlerësimi i numrave

Numri i saktë i jo të bardhëve, që u bashkohen grupeve të ekstremit të djathtë është i paqartë. Një studim i Universitetit të Çikagos në vitin 2022 zbuloi se gati 7% e protestuesve të akuzuar në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA ishin jo të bardhë.

Ndërsa shumica e protestuesve të Kapitolit nuk ishin anëtarë të ndonjë grupi ekstremist, të dhënat japin një pamje të zymtë, thotë Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë-San Bernardino.

Shifrat tregojnë “sa tërheqës mund të jetë ekstremizmi i krahut të djathtë për njerëzit me ngjyrë dhe për disa, niveli tjetër në këtë prirje është supremacia e bardhë”, tha zoti Levin në një intervistë.

Fenomeni nuk është krejtësisht i ri. Në vitet 1960, një hebre i quajtur Daniel Burroughs drejtoi një grup neo-nazist. Në vitet 1990, afrikano-amerikanët mbanin poste drejtuese brenda milicive kundërqeveritare, kryesisht të bardha, të krahut të djathtë.

Por Garcia ishte një fytyrë e re, e epërsisë së bardhë. Ai i përkiste një lëvizjeje të ekstremit të djathtë, që është bërë më e larmishme nga pikëpamja racore dhe ofron më shumë pika ideologjike për aspirantët, që duan të bashkohen në të. Studiuesit Daniel Martinez HoSang dhe Joseph Lonwdes e kanë quajtur këtë fenomen “supremaci shumëracore të bardhë”.

“Nëse shikoni se kush u arrestua pas sulmit së 6 janarit, do të shihni një gamë të gjerë profesionesh dhe moshash, klasash shoqërore … dhe besimesh,” thotë zoti HoSang, profesor i shkencave politike dhe studimeve amerikane në Universitetin Yale. “Disa janë të fokusuar në teoritë konspirative dhe QAnon-in. Disa janë të motivuar nga homofobia dhe transfobia. Disa fokusohen në islamofobinë. Të tjerët fokusohen në nativizmin”.

Por ajo që bashkon grupin e larmishëm të besimtarëve të djathtë është besimi në “degradimin e vendit”, thotë zoti HoSang.

“Për të trajtuar këtë degradim, ka një lloj roli thuajse vlerësues dhe heroik për një numër të vogël njerëzish, të cilët, për të rikthyer kombin, për të rivendosur nderin e tij, ndërmarrin veprime të dhunshme,” shtoi ai.

Bashkimi i ekstremistëve

Sot, skajet ekstremiste mburren me mbështetjen nga pothuajse çdo cep i shoqërisë amerikane.

Nick Fuentes, i identifikuar si supremacist i bardhë në dosjet e gjykatës federale, ka prejardhje latine.

Ish-kryetari i grupit Proud Boys, Enrique Tarrio, identifikohet si afro-kuban.

Themeluesi i grupit Oath Keepers, Stewart Rhodes ka folur hapur për “racën e tij të përzier”.

Të dy, Tarrio dhe Rhodes, janë dënuar për komplot rebelizmi për rolet e tyre në trazirat e 6 janarit.

Ali Alexander, organizatori i tubimit “Stop the Steal” që i parapriu sulmit në Kapitol, vjen nga një nënë afrikano-amerikane dhe një baba me ngjyrë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Joey Gibson, themeluesi i grupit Patriot Prayer, është gjysmë japonez.

Ata të gjithë e refuzojnë etiketën “supremacist i bardhë”.

Fuentes, për shembull, e ka quajtur etiketën “një fyerje racore kundër të bardhëve”.

Tarrio ka thënë: “Unë jam me lëkurë ngjyrë kafe, jam kuban. Nuk ka asgjë supremaciste të bardhë tek unë.”

Konservatorët gjithashtu e kanë problem këtë lloj karakterizimi.

“Duket se nëse dikush tështin në mënyrë të gabuar, ata akuzohen për supremaci të bardhë”, tha shkrimtari konservator Julio Rosas, gjatë një dëshmie në Dhomën e Përfaqësuesve ditët e fundit.

Por kritikët thonë se njerëzit me ngjyrë, që ushqejnë supremacinë e bardhë nuk mund t’u shpëtojnë pasojave të ideologjisë së tyre bazuar në ngjyrën e lëkurës.

“Është shumë e vështirë të thuash se e refuzon etiketën e supremacistit të bardhë kur propagandon se raca e bardhë është superiore”, tha Tanya Hernandez, një eksperte e çështjeve racore dhe profesore në Shkollën Juridike të Universitetit Fordham.

Grupe ekstremiste racore gjithëpërfshirëse

Për të qenë të qartë, jo të gjitha grupet e ekstremit të djathtë mirëpresin njerëz me ngjyrë në radhët e tyre. Organizatat neo-naziste si Lëvizja Nacional Socialiste, ende i përmbahen një politike të ngurtë vetëm për të bardhët.

Por ata janë një pakicë në tkurrje brenda të djathtës ekstreme, të zëvendësuar nga një lëvizje më pak hierarkike dhe më pak e bazuar tek raca, që prek një grup më të larmishëm rekrutësh.

“Ekstremistët racistë kanë ndryshuar dhe e kanë zgjeruar zonën se kush mund të jetë nën ombrellën e tyre”, tha zoti Levin. “Më parë pyetja shtrohej: ‘Kush je ti?’, ndërsa tani është: ‘kë urren’?”

Simpatizantët me ngjyrë, jo vetëm që forcojnë radhët e grupeve të ekstremit të djathtë, por gjithashtu i mbrojnë ata nga akuzat për racizëm, duke u mundësuar të legjitimojnë fanatizmin e tyre, thonë ekspertët.

“Ata mund të thonë, ‘Hej, ne kemi njerëz me ngjyrë mes nesh, kështu që nuk mund të thuash se jemi racistë'”, thotë Jason Williams, ekspert në Universitetin Shtetëror Montclair në Nju Xhersi.

Çfarë i motivon njerëzit me ngjyrë

Mund të jetë diçka befasuese që supremacistët e bardhë të mirëpresin njerëzit me ngjyrë. Por është edhe më e papritur, që një person me ngjyrë të bashkohet me ta.

Motivet janë po aq të ndryshme, sa prejardhja e tyre.

Latinët, një grup i larmishëm racor, shquhen si një nga grupet më të dukshme jo të bardhë, brenda të djathtës ekstreme.

Një latinas, duket dhe identifikohet si i bardhë, por nuk pranohet plotësisht si i bardhë, mund të bashkohet me një grup ekstremist për të provuar vetë-identifikimin e tij, thotë zonja Hernandez me Universitetin Fordham.

Por ajo vë në dukje se një latinas “nuk duhet të ketë një pamje të bardhë për të qënë një mbështetës i supremacisë së bardhë”.

Për të tjerët, regjistrimi në një grup të krahut të djathtë është njësoj si “bashkimi me një familje të shumëllojshme, një familje që do t’i mbështesë, do t’u sigurojë substancë e kështu me radhë,” thotë eksperti Williams.

Jo të gjithë ekstremistët e djathtë, qofshin të bardhë, apo jo, përkrahin dhunën. Aktivistët e së djathtës ekstreme distancohen nga aktorët e dhunshëm dhe pretendojnë se janë mbrojtës paqësorë të interesave të të bardhëve.

Por studiuesit e ekstremizmit thonë, se retorika dhe dhuna shpesh janë të ndërthurura.

“Kjo retorikë është ajo që ushqen dhe mbështet impulset e atyre që janë më të prirur të marrin armë zjarri,” thotë ekspertja Hernandez.