Dy persona janë plagosur në shkëmbim zjarri në Beograd, njëri është shtetas i RMV-së
Njëzet e një vjeçari nga Maqedonia e Veriut, i cili mbeti i plagosur në incidentin e armatosur të ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen e Beogradit, Vraçar, ka qenë në vendin e ngjarjes, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për 360 Gradë, transmeton Portalb.mk..
Sipas MPJ-së, ai ka qenë së bashku me një person tjetër, po ashtu shtetas i Maqedonisë, i cili nuk është lënduar nga të shtënat.
“Bëhet fjalë për dy qytetarë tanë që kanë qenë kalimtarë të rastit, njëri prej të cilëve është transportuar në Qendrën Emergjente (në Beograd) me plagë nga arma e zjarrit për ndërhyrje kirurgjikale. Për momentin ndihet mirë”, thonë nga MPJ.
Siç informojnë nga atje, derisa i plagosuri është dërguar në qendrën emergjente, shtetasi tjetër i Maqedonisë ka qenë në stacionin policor ku ka dhënë deklaratë.
Nga të shtënat, siç konfirmoi Ministria e Brendshme e Serbisë përmes një komunikate të shkurtër mëngjesin e sotëm, është plagosur edhe një qytetar 26-vjeçar nga Beogradi, i cili po ashtu është shtruar në Qendrën Emergjente.
Pas kërkimit tre orësh, policia e Beogradit arriti të identifikojë dhe arrestojë sulmuesin e dyshuar. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, bëhet fjalë për N.Gj. (20) i cili dyshohet për veprat penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe prodhim, posedim, mbajtje dhe tregtim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve shpërthyese.
Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd arrestuan N. Gj. (2003). Dyshohet se mbrëmë në rrugën Maksim Gorki ka qëlluar me lëndime të rënda trupore shtetasin njëzet e gjashtë vjeçar të Beogradit dhe një shtetas të Maqedonisë së Veriut njëzet e një vjeçar dhe më pas ka ikur. Policia e ka identifikuar shpejt dhe e ka gjetur. Sipas urdhrit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës do të paraqitet para prokurorit”, thuhet në komunikatën e shkurtër të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Deri më tani nuk ka informacion më të detajuar për motivet e të shtënave.
“Blici” serb ka raportuar dëshminë e një gruaje e cila jeton në një ndërtesë afër vendit ku kanë ndodhur të shtënat. Ajo tha se dëgjoi tre të shtëna që fillimisht mendoi se ishin fishekzjarre.
“Dola në tarracë dhe pashë që njerëzit në anën tjetër të godinës ishin të traumatizuar. Kur zbrita, aty ishte shtrirë një djalë i plagosur. Më vonë kam dëgjuar se sulmuesi ka ikur dhe me siguri ka plagosur një person tjetër. Jemi të tmerruar. Kush e di se ku vrapoi”, tha ajo për “Blic”.