Protestë në Shkup kundër lejes së vjetër të fabrikës së çimentos “Usje”

Në Shkup u mbajt protesta e paralajmëruar prej kohësh në kundërshtim të vazhdimit të punës së Çimentores “Titan Usje” me leje që i ndjekin standardet e vjetra, përkundër që Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor ka paralajmëruar që do të ndiqen standardet e reja evropiane, transmeton Portalb.mk.

Protestat e pasdites është organizuar nga nisma qytetare “Stop Usjes” për të kundërshtuar vazhdimin e punës së fabrikës me leje A të integruar sipas standardeve të vjetruara.

Protesta u mbajt nën sloganin “Fitime për Usjen, sëmundje për popullin”. Ajo nisi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe mbaroi te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga nisma thonë se, në vend që të harmonizohet me standardet evropiane dhe teknikat më të mira të disponueshme, çimentorja “Usje” kërkon të vazhdojë të operojë me të njëjtat vlera kufitare të ndotjes që nga viti 2007, ndërsa në kërkesën për vazhdimin e lejes A të integruar nuk parashihen masa konkrete për uljen e emetimeve.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, në një intervistë televizive të premten tha se leja për çimentoren “Usje” do të rinovohet sipas Ligjit të ri për kontrollin e emetimeve industriale, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator të vitit të ardhshëm dhe parashikon standarde më të rrepta ekologjike që do të vlejnë për të gjithë operatorët me leje A të integruara.

Kujtojmë se afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve në lidhje me lejen e USJE-s ishte deri më 22 qershor.