Prokuroria me hetim për rastin e zhvatjes në Shkup ku personi u paraqit si punonjës i ASK-së

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se i ka kryer veprat penale zhvatje nga neni 258 dhe paraqitje e rreme nga neni 391 të Kodit Penal, raporton Portalb.mk.

Në periudhën prej datës 14.12.2023 deri më 05.04.2024, i pandehuri është paraqitur në mënyrë të rrejshme si zyrtar – punonjës i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe me kërcënime të rënda ka detyruar të dëmtuarin t’i japë para, bizhuteri, makina dhe mallra të tjera në shumë totale prej rreth 180 000 euro.

I dyshuari, duke u paraqitur si punonjës i ASK-së dhe ndërmjetës për shlyerjen e borxhit, ka ushtruar presion ndaj 54-vjeçarit të dëmtuar, menaxher kompanie, me kërcënime për jetën e tij dhe të familjes dhe në disa raste ai mori para, tre makina, dy celularë, unaza floriri dhe bizhuteri të tjera.

“Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, sepse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët, si dhe gjasat e përsëritjes së akteve”, informoi Prokuroria Publike.

Gjykatësi ka pranuar propozimin dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.