U dogj billbordi i kandidatit për president Arben Taravarit në Shkup

Mbrëmjen e djeshme në Shkup është djegur billbordi i kandidatit për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravarit, raporton Portalb.mk.

Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

“Më datë 07.04.2024 në ora 01:15 në SPB Shkup është raportuar se në kryqëzimin e bulevardit “Ilinden” dhe “Ruzveltova” i është djegur billbordi i njërit prej kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është shuar nga ekipi i Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri. Po merren masa për zbardhjen e ngjarjes”, thanë nga MPB.

Në lidhje me djegien e billbordit, koalicioni VLEN ka theksuar se fajtorët duhen dënuar prej ligjit.

“Billboardi menjëherë do të zëvendësohet, mirëpo ata do të humbin. U njoftuam se ishte vënë flakë te një billboard për kandidatin Arben Taravari në rrugën pranë Kopshtit Zoologjik, në Shkup. Ne do të dëshironim të besonim se është aksident, por billboardi në anën tjetër nuk ishte prekur aspak”, thanë nga koalicioni VLEN.

Arben Taravari është kandidat për president i koalicionit opozitar VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët (Arben Taravari), Lëvizja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje).

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 24 prill, ndërsa fushata tani më ka filluar dhe do të zgjasë deri më 22 prill.