Prokuroria kreu inspektim në vendin e shpërthimit në Shkup, ku u raportua se shënjestër ishte Rade Trajkovski-Shtekli

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka kryer inspektim në vendngjarje në lagjen Qeramidnicë të Shkupit, ku raportohet se Rade Trajkovski-Shtekli është lënduar mëngjesin e sotëm nga shpërthimi i një mjeti në oborrin e shtëpisë së tij, transmeton Portalb.mk. Emri i Shteklit, është lakuar disa herë në mediat e vendit, kur flitet për zënkat mes grupeve kriminele në RMV, posaçërisht të bandës “Baron”.

“Po bëhen biseda me persona që mund të kenë njohuri të caktuara, ndërsa me urdhër të prokurorit publik po sigurohen incizimet e video-mbikëqyrjeve të objekteve. Gjurmët e marra nga vendi do t’i nënshtrohen ekspertizës”, thonë nga Prokuroria.

Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit. Mediat raportojnë se shënjestër e sulmit për të tretën herë ishte Rade Trajkovski-Shteklit. Mjeti shpërthyes është hedhur në oborrin e shtëpisë së tij, pas çka ai ka marrë lëndime dhe është dërguar në spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit” për dhënien e ndihmës.

“Sot (14.11.2024) në orën 09:20 në SPB  Shkup është raportuar se në një oborr në lagjen Qeramidnica në Shkup është hedhur një mjet shpërthyes”, thonë nga MPB.

Shtëpia e Shteklit është në fakt prapa qendrës tregtare East Gate, ku ai u shënjestrua dy herë.

Incidenti i fundit ndaj po të njëjtit person ndodhi në tetor të vitit të kaluar në QT “East Gate”, e që ishte i dyti brenda dy muajsh.

Më 25 gusht 2023, poashtu në garazhet e East Gate, pati të shtëna ndaj tij nga Shkupi, por nuk kishin arritur ta plagosin. Më pas personat e maskuar që kishin qëlluar nga një automjet tip “Audi” me targa të huaja ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe automjeti u gjet në flakë në afërsi të liqenit të Treskës në drejtim të Gërçecit.

Incidentet janë seri e vrasjeve dhe zënkave midis bandave kriminale në Shkup.