Prokuroria e RMV-së propozoi paraburgim ndaj një 45 vjeçari nga Kosova për ryshfet në pikën kufitar Bllacë

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një shtetasi të Kosovës 45-vjeçar, i dyshuar për vepër penale – Ryshfeti nga neni 358 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“I dyshuari dje në pikën kufitare Bllacë e Poshtme i ka dhënë 50 euro një zyrtari policor që të kryejë një veprim zyrtar që nuk i është lejuar ta kryejë. Pasi shoferit të autobusit me shenja kombëtare kosovare paraprakisht i ishte refuzuar hyrja në vend për shkak se nuk kishte certifikatën përkatëse për shofer profesionist i autobusit, i dyshuari ka ardhur në pikën kufitare, është prezantuar si pronar i kompanisë së transportit dhe ka kërkuar të flasë me drejtuesin e turnit. Kur hyri në zyrën e drejtorit të turnit, ai la 50 euro në tavolinën e tij për të mundësuar hyrjen e shoferit dhe autobusit në vend”, njoftojnë nga Prokuroria.

Atij i është hequr liria menjëherë dhe meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procedurës penale nga i dyshuari duke ndikuar mbi dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e mundshëm, si dhe përsëritjen e veprës penale, prokurori publik i propozoi gjykatës të caktojë masën e paraburgimit për të siguruar praninë e tij gjatë procedurës.

Kujtojmë se edhe në prill të vitit 2022 zyrtarë policor në pikën kufitare kishin marrë ryshfet nga shtetasit shqiptarë që kanë kaluar kufirin.

Skandali u zbulua pasi një biznesmen, që merrej me transport udhëtarësh denoncoi në emisionin “Stop” në TV Klan Shqipëri, presionin që i bëhet duke i kërkuar ryshfet për një shërbim që duhet të ishte falas dhe që i takon në kufi.