Prokurori Kocevski: Nuk kam ushtruar presion në rastin me bonuset në PSP

Prokurori publik shtetëror Lupço Kocevski përmes një deklarate për opinioni hodhi poshtë, siç thotë, pretendimet e pabazuara se kinse ka ndërhyrë në një rast në të cilin Prokuroria e Lartë Publike Shkup e trajton tash e një muaj dhe për të cilin, siç shton ai, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë, transmeton Portalb.mk.

Duke u pajtuar se publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën e plotë, theksoj se: Kontrolli në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup mbulon punën e të gjithë prokurorëve publikë në atë prokurori, ndërsa prokurorët që e kanë kryer punën e tyre me ndershmëri dhe përgjegjësi nuk kanë as reagime dhe as frikë, sepse e dinë që kontrolli bëhet në përputhje me ligjin. Nga pozita e Prokurorit Publik të Shtetit kam pasur obligim që për herë të parë pas më shumë se katër vitesh ta mbikëqyr punën e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, sepse kam marrë informata dhe aktgjykime nga Gjykata Supreme, të cilat tregojnë për mosprofesionalitet të mundshëm në punën e disa prokurorëve publikë, si dhe raportime për kërcënime, presione dhe sjellje të pahijshme ndaj punonjësve të prokurorisë. Këto raporte janë dorëzuar edhe në Këshillin e prokurorëve publikë, pretendimet janë të dokumentuara dhe kam obligim t’i kontrolloj, thotë Kocevski.

Ai shton se pretendimet e rreme për gjoja presione kanë nisur menjëherë pas fillimit të kontrollit.

“Thjesht më konfirmon se po bëj gjënë e duhur dhe nuk kam ndërmend të devijoj prej saj. Tema e caktuar që përmendet nuk i nënshtrohet fare shqyrtimit dhe përmendet vetëm për të ushtruar presion politik dhe për të më detyruar të tërhiqem. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë! Kur e mora pozitën e prokurorit publik, u betova se do ta kryej këtë detyrë me ndershmëri dhe përgjegjësi dhe premtim se do ta kthej besimin në organizatën e prokurorit publik. Unë do ta bëj atë. Kam ndërmend të publikoj të gjitha njohuritë me të cilat do të vij pas kontrollit dhe të gjitha informatat që vazhdojnë të më mbërrijnë këto ditë menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse të parapara me Ligjin për Prokurorinë Publike”, thotë Kocevski.

Ai shton se deri në fund të këtij muaji do të kryhen kontrolle në të gjitha prokuroritë tjera më të larta publike dhe në PNKOK.

Për të gjitha kontrollet janë ngarkuar prokurorët publikë nga Prokuroria e Republikës, të caktuar si koordinatorë për prokuroritë përkatëse me orar të rregullt vjetor. Sipas detyrave, ata do të duhet të kontrollojnë punën e subjektit të të gjithë prokurorëve publikë në rastet në të cilat prokurorët kanë hequr dorë nga ankesa apo aktakuza. Prandaj pres që sulmet ndaj meje të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh, sidomos nga personat që me vendime të tilla prokuroriale shpëtuan nga ndjekja penale ndërsa qytetarët prisnin drejtësi”, thotë prokurori publik i shtetit.

Përndryshe, më herët prokurori i lartë publik Mustafa Hajrullahi kishte pohuar se prokurori i shtetit Lupço Kocevski kinse i kishte thënë që të ketë kujdes se çfarë vendimi do të merret për rastin me bonuset e PSP-së sepse partia VMRO-DPMNE e cila ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Prokurorisë e udhëhequr nga Islam Abazi nuk është palë e dëmtuar.