Proces i ri gjyqësor ndaj Donald Trump

Gjyqet nuk po kanë fund për Donald Trump-in dhe tashmë miliarderi amerikan rrezikon të ndalohet të bëjë biznes në Nju Jork, raporton Klan. Gjykata e këtij shteti federal vendosi nisjen më 2 Tetor, të një procesi të ri civil ndaj organizatës së tij për mashtrime financiare në dëm të bankave dhe kompanive të sigurimeve. Organizata Trump akuzohet ka fryrë në mënyrë të jashtëligjshme të ardhurat, duke përfituar përmes skemave të mashtrimit mbi 2 miliardë Dollarë.

Në aktakuzën e hartuar nga kryeprokurorja e Nju Jorkut, Letitia James thuhet se Trump ka dorëzuar dokumente të falsifikuara për të përfituar kredi më të mëdha, marrëveshje më të favorshme sigurimesh dhe për të paguar më pak taksa.

Skemat e mashtrimit janë përdorur ndër të tjera edhe për rezidencën e famshme të Mar a Lagos në Florida, ku jeton aktualisht ish-presidenti, vlera e së cilës në deklaratat financiare të paraqitura është 2300 % më e lartë sesa ajo reale.

Nëse shpallet fajtore, Organizata Trump dhe aksionerët kryesorë, ish-presidenti si dhe djemtë e tij Erik dhe Donald Junior, do të humbin pronësinë ndaj pronave në Nju Jork si e famshmja Trump Tower.