Princesha e Uellsit tha se ajo editoi foton familjare që u fshi nga agjencitë e fotografive

Princesha e Uellsit ka kërkuar falje dhe ka pranuar përgjegjësinë për një gabim editimi që çoi në tërheqjen e një fotografie zyrtare të saj dhe të tre fëmijëve të saj nga agjencitë ndërkombëtare të fotografisë, shkruan The Guardian.

Në një postim në Twitter të postuar në platformat e mediave sociale të Princit dhe Princeshës së Uellsit, Catherine shkroi: “Sikur çdo fotografe amatore, edhe unë kohë pas kohe eksperimentoj me editim, Doja të kërkoja falje për çdo konfuzion që shkaktoi fotografia familjare që shpërndamë dje. Shpresoj që të gjithë që festojnë ta kenë një festë shumë të lumtur të ditës së Nënës”.

Në fotografi, Kate duket shëndosh e mirë duke qëndruar ulur në një karrige, e rrethuar nga tre fëmijët e saj plot buzëqeshje. Fotografinë e kishte bërë burri i saj, Princi William, trashëgimtar i fronit, në fillim të javës që shkoi në Windsor.

Kjo ngjarje u bë shumë shpejt lajmi kryesor në Britani dhe fotografia i mori gati 50 milionë shikime në rrjetin social X deri kah fundi i asaj dite.

Megjithatë, nga studimi i fotografisë u zbulua se ajo kishte mospërputhje, të cilat sugjeruan se ishte ndryshuar, për shembull, dora e majtë e Princeshës Charlotte me mëngët e xhemperit të saj.

Kah fillimi i mbrëmjes, Associated Press dhe agjencitë e tjera, përfshirë Getty, Reuters dhe AFP, vendosën ta largojnë fotografinë pasi e analizuan nga afër.

Fotografia, e realizuar nga Princi William në Windsor javën e kaluar dhe e publikuar në media përmes Pallatit Kensington për të shënuar Ditën e Nënës, ishte e para e Catherine që u publikua pas operacionit të saj abdominal dy muaj më parë.

Megjithëse zyrtarët e pallatit shpresonin se kjo do të qetësohej, pas shumë spekulimeve në internet dhe teorive konspirative mbi gjendjen dhe shëndetin e saj, në vend të kësaj ajo nxiti thashethemet pas asaj që dukej si manipulim i imazhit.