Presidentja Davkova zhvilloi takime me homologë dhe përfaqësues të shteteve të rajonit

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në prag të Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ka takuar homologë dhe përfaqësues të shteteve të rajonit. Davkova zhvilloi takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, me me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq dhe zëvendësdrejtorin e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme Marko Makovec. Në të gjitha takimet temë e përbashkët ishte bashkëpunimi dypalësh dhe zhvillimet në rajon, transmeton Portalb.mk.

Në takimin me Vjosa Osmanin, u vlerësua se të dy vendet kanë një dialog të shkëlqyer politik dhe u shpreh interesim për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm dypalësh dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se në interes të stabilizimit të mëtejmë dhe prosperitetit ekonomik të rajonit, është e nevojshme të investohet në bashkëpunimin rajonal, për të siguruar mbarëvajtjen e proceseve integruese evropiane të vendeve të rajonit, si dhe zbatimin konsekuent të agjendës së reformës.

“Në këtë drejtim, dy presidentet shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të rajonit, si dhe për sfidat politike dhe të sigurisë në nivel rajonal dhe multilateral. Duke theksuar se dy vendet janë partnerë të rëndësishëm tregtarë, në takim u shpreh gatishmëria për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes infrastrukturore”, thuhet në njoftimin e Presidencës së RMV-së.

Ndërkohë në takimin me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, të dy bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe.

Jakov Milatoviq dhe Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së
Jakov Milatoviq dhe Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

“Në bisedë u theksua domosdoshmëria e vazhdimit të mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në drejtim të përmbushjes së përcaktimeve të përbashkëta strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe u shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit rajonal me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe progresit ekonomik të vendet e rajonit. Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se integrimi evropian i vendeve të rajonit është i një rëndësie thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin dhe në atë drejtim nevojitet perspektivë e qartë për anëtarësim në BE, vlerësim konsistent i kritereve të Kopenhagës dhe zbatimi i tyre kredibil”, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentes Davkova.

Në takim u shpreh gatishmëria për vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit politik dhe të sigurisë në kuadër të NATO-s, si dhe u shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në rajon dhe në Evropë.

 

Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq, u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve, të cilat karakterizohen nga miqësia tradicionale dhe u shpreh gatishmëria për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushat me interes të përbashkët.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për zhvillimet politike në të dyja vendet, situatën aktuale në rajon dhe perspektivën evropiane.

Presidentja Siljanovska Davkova theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të zgjeruar në nivel bilateral dhe në kuadër të iniciativave rajonale, që është në interes të stabilitetit, prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit dhe në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Marko Gjuriq dhe Gordana SIljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së
Marko Gjuriq dhe Gordana SIljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

Në takim u theksua nevoja e shfrytëzimit të potencialeve zhvillimore në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, investimeve, infrastrukturës dhe lidhjes energjetike mes dy vendeve.

 

Nga ana tjetër në takimin me Marko Makovec, zëvendësdrejtorin e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, u shkëmbyen mendime për progresin e integrimeve evropiane të Maqedonisë, perspektivat dhe hapat e mëtutjeshëm në lidhje me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Siljanovska Davkova theksoi nevojën për përshpejtim dhe përparim në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si përcaktim tonë strategjik, i cili është gjithashtu i një rëndësie kyçe për stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm të rajonit më të gjerë.

Ajo tha se për të ruajtur besueshmërinë e zgjerimit të BE-së, është e nevojshme të respektohet procesi meritor i integrimit dhe vlerësimi i përmbushjes së kritereve të Kopenhagës nuk duhet të vuajë për shkak të çështjeve bilaterale dhe lëvizjeve politike të vendeve të caktuara anëtare të BE-së.

Marko Makovec dhe Gordana SIljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së
Marko Makovec dhe Gordana SIljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

Në bisedë, kryetarja Siljanovska Davkova theksoi se institucionet shtetërore të Maqedonisë edhe në të ardhmen do të bëjnë të gjitha përpjekjet për zbatimin e vazhdueshëm të reformave dhe se do të përpiqen për konsensus politik dhe social për agjendën e reformave dhe miratimin e ligjeve për të cilat është paraparë flamuri evropian.

Kujtojmë se sot dhe nesër në Shkup mbahet samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në Procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe takimi i ministrave të Punëve të Jashtme.