Presidenti i Malit të Zi për veriun e Kosovës: Së pari të mbahen zgjedhjet, pastaj të themelohet Asociacioni

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se për qetësimin e situatës në veri të Kosovës duhen së pari të mbahen zgjedhjet në komunat veriore e pastaj Kosova ta themelojë Asociacioni.

Milatoviq gjatë intervistës për mediumin austriak “Der Standard” ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës nga protestuesit e dhunshëm serbë, shkruan Koha.net.

“Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është absolutisht i papranueshëm. Në fund të fundit, këta ushtarë kanë bërë një punë mjaft të mirë në mbrojtjen e trashëgimisë së kishës serbe në Kosovë, po ashtu ishte një lidhje e rëndësishme për popullin e Malit të Zi, pasi shumica e njerëzve në Mal të Zi janë gjithashtu besimtarë të kishës serbe. Për ta përmirësuar situatën duhen zgjedhje të rena në komunat veriore të Kosovës. Dhe Kosova duhet ta themelojë Asociacionin për komunat veriore”, ka thënë Milatoviq.

Milatoviq po ashtu ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”, ai ka thënë se është rezultat i një përparimi të ngadaltë të Procesit të Berlinit.

“Kjo pjesë e Evropës ishte e vetmja pa kufij 50 vjet më parë. Tash është e vetmja me kufij. Të gjitha ekonomitë tona janë të ndërlidhura dhe përfitimi për njerëzit tonë do të ishte që kostot në kufij të minimizohen”. ‘Ballkani i Hapur’ është rezultat i përparimit shumë të ngadaltë në Procesin e Berlinit, që filloi dhjetë vjet më parë. Procesi i Berlinit është elementi kyç për integrimin rajonal. Problemi me Procesin e Berlinit, megjithatë, është se të gjashtë vendet gjithmonë duhet të bien dakord. Dhe ndonjëherë ka një problem, sidomos në mes të Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, ‘Ballkani i Hapur’ është gjithashtu një mesazh për BE-në”, tha Milatoviq.