Prej sot ndalohet lëvizja në pyje – në Vodno nuk ka ndalesë, por do të ketë kontrolle të rregullta
Sot hyn në fuqi ndalimi i lëvizjes në pyje. Për këtë Qeveria ka marrë vendim mbrëmë dhe ka ngarkuar organet kompetente që të shpallin ndalim që do të vlejë nga sot (17 korrik), transmeton Portalb.mk.
“Ndalimi vlen edhe për lëvizjet në zonat e mbrojtura kombëtare të Jasenit, Mavrovës, Popova Shapkës dhe Pelisterit”, shtojnë nga Qeveria.
Nga ana tjetër, në zonën e Vodnos, ku nuk ka ndalim lëvizjeje, por janë planifikuar kontrolle të rregullta.
Ky vendim vjen në një kohë kur vendi është në fazën portokalli të rrezikut për shkak të temperaturave të larta. Për mbrojtjen e popullatës dje janë zgjatur rekomandimet dhe vendimet lidhur me kategoritë vulnerabël dhe punën në ambient të hapur.
Rekomandime mund t’i lexoni KËTU.
Maqedonia e Veriut prej më 13 korrik ka hyrë në fazën portokalli. Qeveria shqyrtoi informacionin nga Ministria e Shëndetësisë për temperaturat e larta dhe miratoi rekomandimet përkatëse.
Në fazën portokalli kanë hyrë të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malesheva, Pellagonia dhe Ohër-Prespa.
Prandaj, duke filluar nga 13 korriku 2023 (e enjte), vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës.