Populizmi, rrezik për demokracinë apo “mbrojtës i popullit?”

Ekzistojnë disa qasje mbi populizmin, por në këtë shkrim do të fokusohemi në dy prej tyre që ofrojnë një kuptim më të thellë. Qasja e parë thekson se populizmi është një fenomen i përhershëm në politikën përfaqësuese. Sipas kësaj qasjeje, populistët nuk janë kundër parimeve të përfaqësimit politik, por ata thjeshtë këmbëngulin se vetëm ata mund të përfaqësojnë në mënyrë legjitime interesat e popullit. Në kontrast, qasja e dytë thekson se kritika ndaj elitave nuk e bën domosdoshmërisht dikë popullist. Populistët janë antipluralistë dhe pretendojnë se vetëm ata janë përfaqësuesit e vërtetë të shtresave të gjera të shoqërisë.

Shkruan: Enis Shaqiri

Politika na shoqëron kudo dhe gjatë gjithë jetës. Edhe pse mund të jemi indiferentë apo skeptikë ndaj saj, çdo gjë që bëjmë në jetë, në thelb, lidhet me politikën. Historikisht, mendimi botëror — politik është ndarë në dy ideologji kryesore: e majta dhe e djathta. Nga këto ideologji janë ndërtuar politikat ekonomike, financiare, arsimore, të emigracionit, shëndetësore… Termat “parti e majtë-e djathtë”, “krahu i majtë-i djathtë”, “koalicion i majtë-i djathtë”, “politika ekonomike të majta-të djathta” apo thjesht “e majta-e djathta” janë të zakonshme në bisedat e përditshme, në median e shkruar dhe elektronike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Sipas Fjalorit Politik të Oksfordit, këto terma kanë lindur gjatë Revolucionit Francez (1789 –1799). Deputetët që ishin për Republikën dhe kundër Monarkisë u vendosën në të majtë të presidentit të Asamblesë Kombëtare, ndërsa përkrahësit e Regjimit të Vjetër në të djathtë.

Një dallim tjetër mes këtyre dy ideologjive janë edhe çështjet që ngrihen. Në hartimin e një politike, e djathta pyet “a është e dobishme?”, ndërsa e majta është më e shqetësuar për çështjet morale, ndaj pyetja themelore është “a është e drejtë?”. Në konceptimet moderne, e majta promovon paketën e ndihmës sociale, duke mbështetur pensionet sociale dhe mbështetjen e shtetit ndaj individit, ndërsa e djathta definohet nëpërmjet sintagmës “bukë falas nuk ka”.

Një pyetje thelbësore është: cili është dallimi mes populizmit të majtë dhe atij të djathtë? A e sjell populizmi qeverinë më afër popullit apo është një kërcënim për demokracinë? Kush është “populli” dhe kush mund të flasë në emër të tij? Këto janë pyetje që po diskutohen gjerësisht në kontekstin aktual ku popullizmi po merr një hov në shumë vende. Në librin “Ç`është populizmi”, Jan-Werner Müller trajton rrezikun e demokracisë nga populizmi. “Jo gjithçka shkon mirë për demokracinë. Sot demokracia duhet të përballet me një rrezik që dallon nga çdo ideologji gjithëpërfshirëse, e cila mohon sistematikisht parimet demokratike. Rrezik është Populizmi”, shkruan Müller.

 A do të thotë populizëm të punosh për popullin?

Në skenën politike, populizmi përfaqëson idenë e një shoqërie të ndarë në dy grupe kundërshtare: “njerëzit e pastër” dhe “elita e korruptuar”. Termi populizëm rrjedh nga fjala latine populus (populli) dhe përkufizohet si “një taktikë politike primitive që synon mashtrimin e turmave, manipulimin e tyre përmes premtimeve të parealizueshme dhe flirtimit demagogjik”. Në literaturën bashkëkohore politike, populizmi përkufizohet si “ideologji ose doktrinë politike që shoqërinë e sheh të ndarë në grupe homogjene, antagoniste dhe pohon se politika duhet të jetë shprehje e lirë e njerëzve — (volonté générale).

Ekzistojnë disa qasje mbi populizmin, por dy prej tyre janë më të kuptueshme. Qasja e parë thekson se populizmi është hija e përhershme e politikës përfaqësuese; populistët nuk janë kundër parimit të përfaqësimit politik, por këmbëngulin se vetëm ata janë përfaqësuesit legjitimë. Qasja e dytë thekson se jo kushdo që kritikon elitat është populist. Populistët janë antipluralistë dhe pretendojnë se vetëm ata përfaqësojnë shtresën popullore. Përqendrimet e tyre në përfitime afatshkurte dhe apele emocionale shpesh i lënë në hije çështjet më komplekse të politikave. Për më tepër, udhëheqësitë populiste mund të tundohen të përqendrojnë pushtetin në duart e tyre, duke minuar kontrollet dhe balancat thelbësore për qeverisjen demokratike.

Krejtësisht në fund, nëse ndarja në të majtë dhe të djathtë mbetet një mjet i dobishëm për të analizuar spektrin politik, është e rëndësishme të njohim dhe të kuptojmë rreziqet e populizmit. Për të mbrojtur demokracinë, është thelbësore të nxitet mendimi kritik, edukimi mediatik dhe një përkushtim i fortë ndaj pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes. Mbetet detyra jonë si shoqëri të përcaktojmë se si do të angazhohemi, kush do të flas për ne, dhe si do të përballemi me sfidat e kohës. Kurse a do të thotë popullizëm “të punosh për popullin”? Kjo mbetet një pyetje e hapur për diskutim pasi e njëjta prek çështjet më të ndjeshme të shoqërive: ndjenjën e padrejtësisë së përjetuar, identitetin kulturor dhe nacionalizmin.