“Një popull që frymon vetëm social-mediatikisht dhe politikisht, që s’e ka të zhvilluar mendimin dhe analizën sociologjike të gjërave s’mund të ndërtojë shoqëri funksionale dhe konkurrente të shekullit XXI”.
-autoriale
Termi “polikrizë” nga titulli i këtij shkrimi mban firmën e Klaus Schwab-it (1938), themelues i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) dhe staf i ETH (Zurich) dhe të Adam Tooze-s (1967) historian anglez i dalluar nga Universiteti Columbia. Kjo shprehje nënkupton një situatë ku disa lëkundje sociale të ndryshme ndodhin në të njëjtën kohë, në sinkron, ndërveprojnë me njëra-tjetrën në një mënyrë që e bën situatën e përgjithshme shumë më të keqe sesa shuma e pjesëve të saj. Një shembull kthjellues i një polikrize është periudha e fillimit të viteve 2020, e cila përjetoi pandeminë COVID-19, pasigurinë shëndetësore, atë ushqimore, luftën në Ukrainë, inflacionin rekord dhe një krizë klimaterike në përkeqësim.
Epoka në të cilën jetojmë është mbiquajtur edhe kohë e polarizimeve, e turbullirave dhe përmbysjeve shumëpërmasore, kur mendimtarë të dalluar flasin për kalimin nga formula ‘një botë tjetër është e mundur’ në atë ‘një fund tjetër i botës është i mundur’. Njetrëzimi sot po përballet me sfida të mëdha, si një polikrizë qytetëruese, përkeqësimi i demokracisë, normalizimi i autoritarizmit, thellimi i militarizmit dhe kulturës së luftës, emergjenca mjedisor, tejkalimi i kufijve planetarë (Bringel, 2024) dhe kulmi, arsyetimi dhe normalizimi i gjenocidit në sytë e të civiluazrve kur ai ndodh atje, në rajonet ekzotike dhe defetizmi global lidhur me të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Kriza është qytetërimore dhe kërkon zgjidhje, ndërkohë që sociologjia është një instrument me peshë në diagnostikimin dhe përpjekjen për kurim të shoqërisë globale. Kjo ka qenë edhe tema Forumit të V-të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë (ISA) të mbajtur mes 6-11 korrik në Rabat të Marokut, fokusuar në temën “Njohja e drejtësisë në epokën e antropocenit”. Ky forum që tubon mbi 4000 hulumtues anekënd botës (mbi 100 shtete), aktualisht udhëhiqet nga Geoffrey Pleyers nga Universiteti Katolik i Louvain-it (Belgjikë), kryetemë e specializimit të cilit janë lëvizjet shoqërore dhe globalizimi.
Sipas tij sociologjia sot, në fillimshekullin e ri është duke e përjetuar periudhën e vet më stimulative dhe më kreative. Njëri nga burimet e kësaj ripërtëritjeje është dialogu më i hapur me perspektivat kritike dhe me epistemologjitë e kontributet e Jugut Global. Ai shpalos kërcënimet ndaj lirisë akademike, me një rritje të autoritarizmit dhe sulmeve ndaj shkencave shoqërore, madje edhe në demokraci të themeluara mirë. I ndikuar nga lëvizjet anti-globaliste dhe dialogët e tij me studiuesit latino-amerikanëai bën thirrje për një sociologji globale që shkon përtej perspektivave eurocentrike dhe që bazohet në njohuritë nga rajone të ndryshme të botës për të analizuar sfidat e kohës sonë dhe për të kuptuar më mirë shoqëritë dhe mënyrën si ndryshojnë ato.
Në eventin e Rabatit, Geoffrey Pleyers shpalosi deklaratën e mëposhtme që u firmos nga ajka e sociologjisë globale, duke filluar nga presidenti paraprak Sari Hanafi (Global Dialogue, 2025). Teksti integral i deklaratës është si vijon:
- “Në një kohë kur udhëheqës shtetërorë po nxisin mosbesimin ndaj shkencës dhe sulmet ndaj shkencave shoqërore po shtohen;
- Në një kohë kur lajmet e rreme qarkullojnë më gjerësisht dhe me ndikim më të madh se analizat e bazuara në kërkim;
- Në një kohë kur shumë liderë politikë po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po ia mohojnë një pjese të popullsisë të drejtën për shtetësi të plotë;
- Në një kohë kur dehumanizimi i kategorive të tëra të njerëzve po bëhet sërish një mjet i përhapur për të imponuar dhe konsoliduar pushtetin;
- Në një kohë kur provat shkencore mohohen me qëllim që të injorohen ose të hidhen poshtë emergjencat sistemike mjedisore dhe shoqërore.
- Në një kohë kur shtetet po shtypin ata që ngritin zërin kundër gjenocidit dhe dhunës e racizmit sistemik;
- Në një kohë kur një përqendrim i paparë pasurie i lejon një numri të vogël multimiliarderësh të kontrollojnë median masive dhe atë sociale;
- Në një kohë kur njerëzimi po përballet me kriza të ndërlidhura globale që do të përcaktojnë jetën e brezave të ardhshëm;
- Në një kohë kur liria akademike është nën kërcënim, madje edhe në demokracitë e konsoliduara.
Vazhdon…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.