Policia në kërkim të autorëve që vendosën flamurin shqiptar në kishën “Shën Atanasi” në Tetovë

Policia e Tetovës në koordinim me prokurorin publik po ndërmerr masa për zbulimin e autorëve të cilët vendosën flamurin shqiptar në kupolën e kishës “Shën Atanasi” në Kalanë e Tetovës dhe flamurin UÇK në shtyllë në hyrje të Kalasë, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Rasti, siç bëhet me dije nga atje, është raportuar pasditen e djeshme rreth orës 17:30. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë një ekip policor, i cili ka kryer inspektim të plotë dhe po punon për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rastit.

“Dje (20-mars) në orën 17:30 në SPB-Tetovë është raportua se autorë të panjohur në kupolën e kishës ,,Shën Atanasi” në kompleksin e manastirit të Kalasë së Tetovës, kanë vendosur një flamur kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe në një shtyllë metalike në hyrje të Kalasë ishte vendosur një flamur me mbishkrimin UÇK. Menjëherë pas raportimit, në vendin e raportuar është dërguar një ekip i SPB Tetovë. Është kryer inspektim i plotë dhe janë ndërmarrë masat për zbardhje të plotë dhe dokumentim të rastit”, thonë nga SPB Tetovë. 

Një incident i ngjashëm ka ndodhur në fund të nëntorit të vitit të kaluar në Tetovë, konkretisht në Kodrën e Diellit. Atëkohë, dy persona të maskuar e hoqën flamurin e Kishës Ortodokse nga shtiza e flamurit në oborrin e kompleksit manastiri “Shën Naum Çudotvorec” në Kodrën e Diellit dhe në vend të tij vendosën flamurin shqiptar.

Ngjarja është regjistruar nga kamera video e vëzhgimit të kompleksit të manastirit dhe më 29 nëntor, ekipet e policisë arrestuan 31-vjeçarin J. A. nga Reçica e Vogël e Tetovës pasi u identifikua si pjesëmarrës në ngjarje.

Këtij rasti i kanë paraprirë akuzat mes partive politike për vendosjen e kryqit 15 metra në tokën e kompleksit manastiri “Shën Naum Çudtoverec” në Kodrën e Diellit.

Kryetari i Besës dhe kryetar aktual i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, së bashku me partnerët nga koalicioni “Lidhja Evropian për Ndryshim” – Lëvizja Alternative dhe Demokratike, kanë kërkuar nga Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit që ta heqë vetë simbolin fetar. BDI-ja ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së kryqit dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Komuna e Tetovës për lejimin e saj. Shefi i diplomacisë dhe kandidat aktual i BDI-së për president të vendit, Bujar Osmani, më pas deklaroi se tema e kryqit ishte lojë parazgjedhore e Besës për të nxitur tensione. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha se nuk e shqetëson asnjë simbol fetar përderisa nuk ka për qëllim të shkaktojë tensione ndëretnike.

Reagime ka pasur edhe nga partitë nga blloku politik maqedonas. Nga VMRO-DPMNE thanë se para se të flasin për pengimin e të drejtës së besimtarëve për të shfaqur simbolin e tyre, institucionet kompetente të kontrolluara nga BDI dhe LSDM duhet të merren me qindra ndërtime pa leje në Kodrën e Diellit që mbijnë çdo ditë.

Mesazh për të mos ndezur tensione ndëretnike ka ardhur edhe nga kreu i shtetit, Stevo Pendarvoski, i cili ka thënë se kjo është gjëja e fundit që na duhet krahas të gjitha problemeve tjera.