Policia e ka paditur përsëri kryetarin Ramiz Merkon

Nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “punë e papërgjegjshme zyrtare”, Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, transmeton  Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj 67 vjeçarit R.M. nga Struga, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “punë të papërgjegjshme zyrtare”. Ai më 17 janar të vitit 2022, si kryetari i Komunës së Strugës, në kundërshtim me rregulloren ligjore, ka sjellën vendim për zgjedhjen dhe emërimin e ushtruesit të detyrës – drejtor në shkollën e Strugës”, raportoi Policia.

Merko në atë periudhë ishte i njoftuar se kandidatja për drejtoreshë nuk i ka plotësuar disa kushte të parapara me Ligjin për arsimin fillor, si provimi për drejtor dhe certifikata për njohjen e gjuhës angleze.

“Ai i ka mundësuar të marrë Vendim dhe kundërligjshëm të përfiton mjetë në vlerë prej 1 390 536 denarë për kryerjen e detyrave të punës si u.d. drejtor dhe si drejtor në shkollë”, sqaroi Policia.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, është i akuzuar për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në fshatrat Podgorcë, Llabunishtë dhe Veleshtë dhe në “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë. Janë bashkuar tri lëndë, ndërsa për shkollën në Veleshtë është duke u zhvilluar një lëndë e veçantë për shkak se ka më shumë të pandehur, të cilët akuzohen për “Punë e papërgjegjshme në shërbim”, e disa prej tyre ndiqen edhe për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.

Më 20 qershor 2023 Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.