Poetët shqiptarë morën pjesë në ‘’Mbrëmjet strugane të poezisë’’, ankesa nga të pranishmit për anashkalimin e gjuhës shqipe

Më 22- 26 gusht u mbajt edicioni i 63-të i festivalit “Mbrëmjet strugane të poezisë”, ngjarje kjo që tuboi shumë poetë nga vendi dhe bota në një vend. Manifestimi u mbajt në Qendrën e Kulturës ‘’Vëllezërit Miladinovci’’ në Strugë, ndërsa ja kush ishin poetët shqiptarë që morën pjesë, njofton Portalb.mk.

Në shënimin e 200-vjetorit të kodifikimit të alfabetit të Braillit, për herë të parë poezia titullare e mbrëmjeve të poezisë, “T’ga za jug” e Konstandinovit, u lexua nga Beira Salifoska me shikim të dëmtuar që lexoi me alfabetin e Braillit. Me moton “Prekja e bukurisë”, këtë vit u bënë homazhe dhe u shënua 200 vjetori i kodifikimit të shkrimit Braille.

Laureatit i sivjetshëm dhe fitues i “Kurorës së Artë” është shkrimtari Zhan-Pier Simeon.

Të pranishëm pati edhe poetë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Resul Shabani, Lulzim Haziri, Delvina Kërluku, Saranda Mehmeti. Nga Kosova Ag Apolloni dhe nga Shqipëria Olimbi Velaj.

Resul Shabani dhe Ag Apolloni kanë lexuar te edicioni ‘’Meridianet’’, në hapjen solemne, ndërsa Lulzim Haziri dhe Olimbi Velaj lexuan te edicioni ‘’Urat’’, kur edhe u mbyll festivali.

Çdo vit festivali ndiqet nga shumë njerëz, e sidomos nga struganët.

Sivjet kishte një reagim publik nga profesori strugan Sabaudin Zhuta i cili shkruan:

’’Mbrëmjet Strugane të Poezisë mbrëmë në mbrëmjen finale ‘’Urat’’ anashkaluan gjuhën shqipe, asnjë përkthim e asnjë paralajmërim në shqip…thyen kodin e praktikës së mëparshme dhe shkelën ligjin e dygjuhësisë. Shtrohet dilema; a duhet të vazhdojë ky cirk që na kushton rreth 2 milion euro për çdo vjet, mjete ku padyshim, participojnë edhe popullata shqiptare’’.

Festivali filloi në vitin 1961 në Strugë. Në vitin 1966, ngjarja u kthye në një festival kulturor ndërkombëtar.