Poetë nga e gjithë bota do të prezentohen në Tetovë për “Ditët e Naimit”, Emërllahu: Ftojmë publikun t’i ndjekë dhe duartrokasë
Ediconi i 28-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të fillojë të enjten (17 tetor) në Pallatin e Kulturës në Tetovë në ora 19:30 dhe do të zgjas deri më 19 tetor. Poetja rumune Magda Carneci, është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri” për këtë vit. Ndërkaq drejtoria e Festivalit fton qytetarët që të ndjekin aktivitetet e festivalit, pasi sipas tyre nuk duhen humbur këto ngjarje kaq të rëndësishme, njofton Portalb.mk.
Në këtë edicion marrin pjesë mbi 20 poet nga vende të ndryshme të botës si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Lituania, Danimarka, Italia, Greqia, Turqia, Armenia, Bullgaria etj.
Me orën e madhe letrare “Globi Poetik” do të bëhet ceremonia e hapjes së festivalit, ku poetë të shumtë do të lexojnë krijimet e tyre, ndërsa laureates, Magda Carneci do t’i dorëzohet çmimi “Naim Frashëri”. Laureatja Magda Carneci është anëtare e Parlamentit Evropian dhe kryetare e PEN-it rumun.
Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu në një konferencë për shtyp , theksoi se në kuadër të programit do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe letrare. Do të ndahen çmime dhe do të përurohet libri “Shpella e Dantes” e laureates Fiona Sampson.
Drejtoria e festivalit gjithashtu edhe për këtë edicion ka botuar Antologjinë e edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
“Ftojmë publikun që të vijë, të ndjekë poetët, të duartrokasë sepse ata vërtetë bëjnë një rrugë të gjatë, imagjinoni një poet të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të respektojë Naim Frashërin, qytetin tonë, gjuhën tonë, ja vlen të vijmë dhe t’i përshëndesim këta poetë të shumtë”, tha Emërllahu.
Edhe këtë vit festivalin e ndihmuan Ministria e Kulturës në mënyrë simbolike dhe biznese private.