Platforma për barazi gjinore me letër të hapur: Siljanovska të mbajë premtimet për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri

Platforma për Barazi Gjinore i dërgoi urime Gordana Siljanovska-Davkovës për zgjedhjen si presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas tyre zgjedhja e Siljanovska-Davkova si gruaja e parë e zgjedhur presidente e vendit besojnë se është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të përkushtimeve shumëvjeçare të Platformës për Barazi Gjinore për përfshirje më të madhe të grave në pozitat më të larta të vendimmarrje dhe qeverisje, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë rast, ju rikujtojmë edhe një herë se nuk mungojnë gratë e kualifikuara dhe me përvojë që do të mund të merrnin poste politike, por ato përballen me barriera sociale dhe strukturore për përfshirjen e tyre, kështu që janë të dekurajuara nga arritja e pjesëmarrjes së plotë politike. Në vendin tonë, pabarazia gjinore në pjesëmarrjen politike të grave është e dukshme pothuajse në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në nivel lokal, vetëm dy (ose 2.5%) nga 81 komuna zgjodhën gra për kryetare komunash. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv, nga gjithsej 16 ministri, vetëm 5 (ose 25%) drejtohen nga femra. Nëse në këto shifra përfshihen gratë nga grupet jo-shumicë, kjo statistikë është edhe më alarmante. Përveç kësaj, Kuvendi i Maqedonisë në mbi 30 vjet pavarësi, ende nuk ka pasur kryetare të Kuvendit femër”, thonë nga kjo Platformë.

Për të arritur pjesëmarrje të rëndësishme dhe relevante politike, Platforma kërkon përfaqësim minimal prej 40% të grave dhe burrave në jetën politike dhe publike. Por me ritmin aktual të progresit, thonë ata,  nuk mund të presim barazi të vërtetë gjinore në legjislaturat kombëtare për të paktën 4 dekada të tjera, ose deri në vitin 2063.

“Të mos harrojmë faktin shkatërrues se numri më i madh i burrave në skenën politike shpesh i inkurajonte ata të drejtonin ofendime ndaj kolegeve të tyre femra dhe të nxisnin hapur një atmosferë mizogjinie. Prandaj, shpresojmë që zgjedhja e gruas së parë si presidente e shtetit të jetë shembull dhe motivim për gratë dhe vajzat e tjera për të marrë pjesë në politikë në të gjitha nivelet dhe do të kontribuojë në përfshirjen dhe pranimin më të madh të gruas në politikë ku ata do të mbrohen dhe trajtohen me respektin e duhur si politikëbërës të barabartë”, thonë nga Platforma.

Ata i bëjnë thirrje Presidentes Siljanovska-Davkova që të mbajë premtimet e saj dhe të tregojë përkushtim për barazinë gjinore në praktikë, duke punuar në forcimin e pozitës së gruas në segmente të ndryshme të veprimit shoqëror.

“Gjithashtu, bëjmë thirrje për partneritet të drejtpërdrejtë dhe përmbushje të synimeve dhe angazhimeve ligjore për të cilat vendi ynë është angazhuar në kuadrin e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të kartave dhe konventave të nënshkruara dhe ratifikuara. Sfidat dhe barrierat me të cilat përballen gratë në jetën publike, private dhe politike janë të shumta dhe mbështetja e të gjithë aktorëve politikë, përfshirë Presidentin e Shtetit, është thelbësore për avancimin e të drejtave të grave”, thonë nga Platforma.

Ata rikujtojnëprioritetet që përcaktuam si Platformë për Barazinë Gjinore si një udhërrëfyes për politikanët në lidhje me masat që mund të çojnë në avancimin e barazisë gjinore në vendin tonë:

  • Qasje e pakufizuar në abortin mjekësor të sigurt dhe të ligjshëm në çdo komunë;
  • Paga e barabartë për punë të barabartë;
  • Veprimi me vëmendjen e duhur ndaj institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore;
  • Transformimi i statusit të grave punëtore në kulturë, të cilat prej vitesh ballafaqohen me paqartësi në lidhje me statusin e tyre të punës;
  • 50% e përfaqësimit të grave në pozitat e pushtetit;
  • Zgjidhje sistematike për qasje në pushimin e paguar të lehonisë dhe pushimin mjekësor për gratë bujqësore;
  • Zgjidhjet e sistemit për kujdesin e fëmijëve dhe të moshuarve;
  • Lufta kundër ryshfetit dhe korrupsionit, të cilat prekin në mënyrë disproporcionale gratë dhe janë arsyeja kryesore e largimit të të rinjve nga vendi.

“Platforma për Barazi Gjinore vazhdon të jetë aleate e grave në politikë, por gjithashtu do të monitorojë me vigjilencë zbatimin e programit të Presidentes Siljanovska-Davkova, e udhëhequr nga parimet dhe angazhimet që na bashkojnë”, thonë Platforma.

Kujtojmë se sipas zgjedhjeve presidenciale të 8 majit, Siljanovska Davkova u zgjodh presidente me 561.000 vota, apo 309.101 vota më shumë se kundërshtari i saj, presidenti i deritanishëm Stevo Pendarovski, i cili mori 251.899 vota. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski ia dorëzoi certifikatën Gordana Siljanovska Davkovaa dhe në emër të Komisionit i uroi mandat të suksesshëm si shefe e shtetit.