Piç dhe Xhaferi porositën se zgjedhjet vijuese do të jenë përcaktim për perspektivat euroatlantike të vendit

Në takimin midis kryetarit të Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe përfaqësuesit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, sër Stjuart Piç, mes tjerash është biseduar edhe për rëndësinë e zgjedhjeve të cilat e presin vendin, për shkak se ato do të jenë përcaktim për perspektivat euroatlantike të Maqedonisë. Në këtë drejtim, është përshëndetur edhe përcaktimi kategorik për zbatimin e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta evropiane, njofton Portalb.mk.

“Në takim u vlerësua se perspektiva e qartë e BE-së është shtytësi kryesor i pajtimit dhe progresit të gjithë rajonit, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, krahas asaj që është interes politik, i sigurisë dhe ekonomik i rajonit dhe i Unionit, është edhe një investim gjeostrategjik në stabilitetin e kontinentit evropian. U këmbyen qëndrime për ngjarjet aktuale në Ballkanin Perëndimor, për gjedjen në Bosnjë dhe Hercegovinë, për raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në kumtestën nga Qeveria.

Piç dhe Xhaferi janë dakorduar se rajoni është truall i ndjeshëm ndaj plasimit të narrativit dezinformues dhe veçanërisht ka nevojë për menaxhim serioz dhe vigjilent të përpjekjeve për ndikim mbi proceset zgjedhore me narrative dezinformuese hibride. Në mënyrë plotësuese, Xhaferi është falënderuar për angazhimin e fuqizuar të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor në promovimin e sigurisë rajonale.

“Të dy bashkëbiseduesit e konfirmuan miqësinë shumëvjeçare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila realizohet përmes mbështetjes që shteti ynë e pranon për çështjet kryesore në zhvillimin demokratik dhe në realizimin e synimeve strategjike”, thuhet në kumtesën qeveritare.

Me 14 shkurt 2024 kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski i shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024. Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.