Në zonën kufitare patrulla të zakonshme të KFOR-it me autoritetet serbe

Patrulla të përbashkëta të KFOR-it me autoritete policore serbe janë zhvilluar të shtunën në zonën kufitare me Kosovën, ka thënë Policia e Kosovës si përgjigje pas raportimeve se forca policore serbe janë parë brenda territorit të Kosovës, konkretisht në Bervenik të Podujevës, transmeton Koha.net.

Siç ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, menjëherë pas raportimeve se një qytetarë ka parë forca serbe brenda territorit të Kosovës, “Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion”.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontingjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Kelani ka shtuar se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare, vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë e parandalim të krimit trans kufitar.

Për raportimet ka reaguar edhe KFOR-i. Siç thuhet në një komunikatë për media të misionit të NATO-s në Kosovë, një njësit nga Letonia në atë kohë po përgatiste një patrullë të përbashkët me forcat serbe. Sipas raportimit, forcat serbe kanë qenë në anën e Serbisë dhe i gjithë patrullimi i përbashkët është sipas procedurave tashmë të zakonshme.