Pesë kandidatë në garën për shef të Prokurorisë në Shkup

Këshilli i Prokurorëve Publikë caktoi mbledhje për më 20 janar, ku në rend dite është zgjedhja e drejtuesit të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, pasi më 18 janar i përfundon mandati shefit aktual, Gavrill Bubevski, i cili u zgjodh në vitin 2022, përcjell TV21. Kjo pikë është e treta në rendin e ditës, dhe për funksionin në fjalë janë paraqitur pesë kandidatë, përfshirë vetë Bubevskin, i cili gjatë periudhës së fundit ka qenë objekt kritikash nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE. Kandidatët e tjerë janë prokurorë me përvojë pune nga gjashtë deri në 20 vjet.

Për këtë pozicion është paraqitur prokurorja Tanja Trajçevska, e cila ka mbi 12 vjet përvojë pune. Nga rastet e ekspozuara publikisht, ajo ka drejtuar rastin për vrasjen e shtetasit kroat Denis Tot, i cili u rrah deri në vdekje para një diskoteke në Shkup.

Pas Trajçevskës, në listë është prokurori Anel Fidoski me 11 vjet përvojë pune, si dhe prokurori Dejan Petreski. Petreski ka përvojën më të vogël – gjashtë vjet, por është i njohur në publik për rastin e rrëmbimit të të riut Samoil, dhe ishte një nga prokurorët që e drejtuan hetimin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona të shtruar për trajtim nga COVID-19. Petreski ka marrë pjesë gjithashtu për një periudhë të shkurtër në hetimin për tragjedinë në Koçan dhe ka qenë prokuror i lidhur me iniciativa për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.

Përvojën më të madhe mes kandidatëve, 20 vjet, e ka prokurorja Spasenka Andonova.

Përveç kësaj pike, në rend dite është edhe zgjedhja e kreut të prokurorisë së Tetovës, ku për këtë vend është paraqitur vetëm shefi aktual, Besir Aliu.

Prokuroria e Shkupit është prokuroria më e madhe në vend dhe drejton rastet më voluminoze dhe më të rëndësishme penale. Mandati i Bubevskit përfundon në një periudhë kur kryeprokurori Ljupço Koçevski dorëzoi dorëheqjen, para se të shkarkohej nga pushteti. Në vend të tij është emëruar prokurore publike në detyrë Anita Topolova Isajllovska.

Ndryshe, në seancën e 16 korrikut të vitit 2025, prokurorët Darko Jakimovski dhe Vladimir Milloseski u zgjodhën si prokurorë të rinj në Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit.

Raporti vjetor i punës së Prokurorive tregoi se gjatë vitit 2024, Prokuroria Publike e RMV-së u përball me mungesë të theksuar të stafit, pasi janë të plotësuara vetëm 64,7% e pozicioneve të prokurorëve dhe 1/3 e vendeve të nevojshme për shërbimin ndihmës. Kapacitetet hapësinore janë të pamjaftueshme dhe të amortizuara, ndërsa sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve është i vjetërsuar, duke kërkuar zëvendësim urgjent përmes një projekti të ri të financuar nga IPA III, i cili nëse shteti nuk ndan një pjesë të shumës, është i rrezikuar. Pajisjet IT janë kryesisht të vjetra, me mbi 200 kompjuterë më të vjetër se 10 vjet. Trajnimi dhe zhvillimi profesional i stafit mungon për shkak të fondeve të pamjaftueshme, duke rrezikuar funksionimin efikas të institucionit.