Pas SHBA-së, edhe Mbretëria e Bashkuar redukton personelin në bazën ajrore në Katar
Pas ShBA-së edhe Mbretëria e Bashkuar kan nisur zvogëlimin e numrit të personelit në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve kundër Iranit për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare, raporton TopChannel.
Zyrtarë amerikanë deklaruan se tërheqja e pjesshme e personelit amerikan përbën një “masë paraprake”. BBC raporton se edhe disa pjesëtarë të personelit ushtarak britanik po largohen nga baza. Një deklaratë e qeverisë së Katarit konfirmoi se masat po merren “në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale”.
Presidenti Trump ka paralajmëruar më herët se SHBA-të do të ndërmarrin “masa shumë të forta” nëse autoritetet iraniane vazhdojnë ekzekutimin e protestuesve. Nga ana e saj, Teherani ka deklaruar se do të hakmerret në rast të një sulmi amerikan.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, më shumë se 2,400 demonstrues antiqeveritarë janë vrarë gjatë shtypjes së protestave nga autoritetet iraniane. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, ka konfirmuar vrasjen e 2,403 protestuesve, përfshirë 12 fëmijë, si dhe arrestimin e mbi 18,400 personave, pavarësisht ndërprerjeve të internetit në vend.