Përsëri riafirmohet ideja për lidhje çikliste të Ohrit dhe Strugës

Iniciativa për lidhje me biçikleta ndërmjet Ohrit dhe Strugës me shndërrimin e rrugës së vjetër ekzistuese Ohër-Strugë për lëvizje ekskluzivisht me biçikleta përsëri është riafirmuar. Asociacioni ndërkombëtar i policisë (ANP) Ohër, më 24 qershor 2023, organizon ANP Velo vikend “Në biçikletë, ta shoh Ohrin dhe Strugën”, transmeton Portalb.mk.

“Ky është turne tradicional,  i shtati me radhë, rekreativ me biçikleta Ohër Strugë-Radozhdë, i cili vazhdimisht riafirmon idenë nga viti 2016 të Këshillit të atëhershëm Komunal për Siguri në Komunikacion (KKSK) për të lidhur dy qytetet buzë liqenit – Ohrin dhe Strugën me biçikletë dhe më tej në vendbanimin turistik Radozhdë, si dhe lidhja për biçikleta Ohër-Shën Stefan-Peshtan, me një shteg biçikletash moderne, funksionale dhe të sigurt”, thonë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Policisë.

Ata konsiderojnë se këto projekt iniciativa janë të një rëndësie të paçmueshme për zhvillimin e turizmit dhe çiklizmit në dy perlat turistike dhe përfitim të madh për qytetarët e Ohrit, struganët, por edhe turistët nga Maqedonia dhe bota.

“Me këtë po u dërgojmë mesazh dy komunave që përfundimisht dhe seriozisht të bëhet realitet lidhja me biçikleta, para së gjithash, nga Ohri në Strugë dhe në vendbanimet turistike Peshtan dhe Radozhdë. Ngjarja qendrore për biçikleta në kuadër të ANP Velo vikend “Në biçikletë, ta shoh Ohrin dhe Strugën”, do të mbahet më 24.06.2023 (e shtunë) në orën 08:00, nisdja nga porti i qytetit në Ohër dhe, me shpresë për mot të mirë, do të lëvizet përgjatë bregut të liqenit të Ohrit, përgjatë rrugës së vjetër Ohër-Strugë. Në orën 08:45 në “EURO HOTEL” është planifikuar takimi i grupeve të çiklizmit të Ohrit dhe Strugës dhe më pas së bashku do të kalojnë nëpër hapësirat piktoreske të gjelbëruara pranë Kalishtës, hotelet “Biser”, “Izgrev” dhe “Makpetrol”, deri në “Radozhd”, njoftojnë nga Asociacioni policor ndërkombëtar.

Ata shtojnë se në kohën kur shtetet e tjera po ndërtojnë autostrada për biçikleta, është e duhura që rajoni Ohër-Strugë i Maqedonisë të ketë shtigje të sigurta për biçikleta, dhe jo çiklistët të ngasin krahas makinave, autobusëve dhe kamionëve dhe të vendosen në një situatë serioze dhe situatë të rrezikshme si kategori vulnerabël e përdoruesve të komunikacionit.

“Nuk duam më shumë viktima-çiklistë në rrugët e pasigurta të rajonit, në të cilat nuk ka asnjë gjurmë as zë të shtigjeve të biçikletave të shënuara me sinjalistikë moderne të trafikut horizontal dhe vertikal të biçikletave. Prandaj, ftojmë të gjithë anëtarët e ANP Ohrit dhe ANP Maqedonisë, anëtarët e seksioneve kombëtare të ANP-së nga vendet fqinje, nga qytetet e binjakëzuara të ANP-së, të gjitha klubet e biçikletave nga Ohri, Struga dhe Maqedonia, të gjithë qytetarët që janë të apasionuar pas tureve me biçikletë, t’i bashkëngjiten fundjavën e ardhshme NP Velo vikend “Në biçikletë, ta shoh Ohrin dhe Strugën”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më 7 mars të vitit 2021 në rrugën rajonale Strugë-Ohër, në pjesën e cila kryesisht përdoret nga qytetarët për të shëtitur dhe për çiklizëm ishte aksidentuar për vdekje një 17 vjeçar.

Pas aksidentit tragjik “Klubi i Çiklistëve” në Strugë protestoi para Komunës së Strugës. Ata kërkuan nga Komuna e Strugës realizimin e kërkesave të tyre në mënyrë që të parandalohen tragjeditë tjera të mundshme në këtë rrugë, që sipas tyre, është e rrezikshme kurse autoritetet komunale asnjëherë nuk kanë ndërmarrë masa për këtë