Përsëri nuk ka gleukometra dhe shirita për personat me diabet në Maqedoninë e Veriut
Çdo dy vjet, në fillim të vitit, ka mungesë të terapisë antidiabetike. Edhe këtë vit, ka mungesë të glukometrave dhe shiritave, u tha në festimin e 25-vjetorit të Unionit të Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.
“Çdo dy vjet, për një ose dy muaj, nuk kemi glukometra, nuk kemi shirita. Këtë vit, kjo ka qenë situata për dy javët e fundit. Për një muaj e gjysmë, ka pasur mungesë të terapisë antidiabetike, e cila është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me tip 2, në mënyrë që ndërlikimet që ata tashmë kanë të mos përkeqësohen. Kjo do të thotë që njerëzit me diabet nuk kanë mundësi të matin sheqernat e tyre të larta, gjë që është një mundësi për zhvillimin e ndërlikimeve kardiovaskulare, neuropatike, renale, të zemrës dhe të trurit, si dhe retinopati. Nuk ka glukometra, të vjetrit kanë çipa të skaduar dhe nuk mund të përdoren, nuk ka sensorë për fëmijë”, tha Dimçe Velev, president i Unionit.
Sipas vlerësimeve të Lidhjes, në Maqedoni ka 135,000 deri në 140,000 qytetarë me diagnozë të diabetit, 40,000 janë në terapi me insulinë dhe prej tyre, 4,000 janë të tipit 1 me një sëmundje autoimune, që nënkupton metoda moderne për matjen e vazhdueshme të glicemisë.