Përsëri Arsovska: Çairi është simbol i kaosit urban, është koha për veprim institucional

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, edhe një herë drejtoi vëmendjen ndaj problemit të ndërtimeve të paligjshme në komunën e Çairit. Në një video-adresim nga terreni, ajo tregoi disa ndërtesa të paligjshme dhe kritikoi qeverinë lokale dhe institucionet përkatëse për, siç tha ajo, “tolerimin e kaosit urban”, transmeton Portalb.mk.

“Në Çair po zhvillohen ndërtime në kundërshtim me ligjin, dhe institucionet heshtin. Ky nuk është vetëm një problem i planifikimit urban, por edhe një çështje sigurie dhe sundimi të ligjit”, tha Arsovska.

Ajo theksoi se Qyteti i Shkupit nuk ka juridiksion për të vepruar kundër ndërtimeve të paligjshme, sepse me ligj nuk ka inspektoratin e vet të ndërtimit. Sipas saj, juridiksioni është i inspektorëve komunalë dhe Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit, si dhe Ministrisë së Brendshme në rastet e veprave penale.

“Qyteti i Shkupit është e vetmja njësi e vetëqeverisjes lokale që nuk ka inspektor ndërtimi me ligj”, shkroi Arsovska në profilin e saj në Facebook.

Në fjalën e saj, ajo i bëri thirrje drejtpërdrejt kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, të shpjegonte se si lejon ndërtimet e paligjshme në komunën e tij. Ajo i kërkoi gjithashtu Ministrisë së Brendshme të reagonte në terren, duke akuzuar policinë se refuzonte të inspektonte vendet e kontestuara të ndërtimit.

“Ju falënderoj për mundësinë, z. Mickoski, që të veproj në mënyrë edukative ndaj jush në këtë rast dhe ju bëj thirrje, tani që i dini përgjegjësitë dhe autoritetet tuaja, të veproni menjëherë!” i tha ajo kryeministrit.

Kjo deklaratë vjen pas reagimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili i bëri thirrje Arsovskës të ndërmarrë hapa konkretë në vend që të merret me “filozofim dhe retorikë të zhveshur”.

Problemi me ndërtimet e paligjshme në Çair mbetet i hapur, dhe publiku pret masa konkrete nga institucionet kompetente për të zgjidhur këtë sfidë urbane të kahershme.

Kujtojmë se ditë më parë, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, vizitoi disa lokacione në të gjithë Komunën e Çairit ku po kryheshin aktivitete ndërtimore, të cilat sipas saj janë ndërtime të paligjshme. Ajo doli drejtpërdrejt (live) në profilin e saj në Facebook dy herë nga kantieret e ndërtimit.

Nga ana tjetër, i pari i Çairit, Visar Ganiu ironizoi duke thënë se i vjen mirë “që ajo është zgjuar”.

Kryetarja e Shkupit, Arsovska në vitin e fundit të mandatit të saj është aktivizuar në terren dhe është bërë temë me konfrontimet e saj me kryetarët e komunave në Shkup. Para përplasjes me Ganiun, Arsovska ishte ngatërruar me kryetarin e komunës Shuto Orizari në lidhje me plehrat dhe deponitë e egra.