Përcillet sot në banesën e fundit babai i Hashim Thaçit, ish-presidenti s’i thotë dot lamtumirë

Babai i Hashim Thaçit, Haxhi Thaçi ndërroi jetë më 16 mars, ndërsa ditën e sotme do të përcillet për në banesën e fundit, transmeton GazetaExpress

Familja Thaçi ka hapur sot dyert për homazhe. Shumë qytetarë janë mbledhur për të nderuar të ndjerin dhe për të shprehur ngushëllime familjes.

Në këtë ceremoni janë të pranishëm edhe familjarët e afërt, përfshirë nëna, gruaja dhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ndërsa ish-Presidenti nuk është lejuar nga Gjykata Speciale që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Homazhet do të vazhdojnë deri në orën 12:00, ndërsa varrimi i Haxhi Thaçit do të bëhet në orën 15:00, në varrezat e fshatit Burojë, Skenderaj.

Hashim Thaçi pas disa përpjekjesh dhe refuzimesh kishte arritur që të merrte leje për ta vizituar babain e tij Haxhi Thaçin më 13 mars 2025 derisa ky i fundit ishte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Dje OVL e UÇK-së ka bërë të ditur se Hashim Thaçi s’do të lejohet nga Specialja për të marrë pjesë në varrimin e babait. Kjo ka nxitur reagime të shumta, përfshirë minsitren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ka treguar se do t’i shkruaj letër Speciales për t’u ankuar. Gjithashtu ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndrimi i të cilit është shpërndarë nga emisari amerikan, Richard Grenell.

Rama ka deklaruar se Gjyakta Speciale e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang.