Për shkak të problemeve me zemrën të një pasagjeri, aeroplani që fluturonte nga Shkupi në Paris u ul në Bruksel
Një aeroplan i Wizz Air që fluturonte nga Shkupi për në Paris bëri ulje emergjente në Aeroportin Charleroi në Bruksel dje, pasi një pasagjer u sëmur, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportimeve, pasagjeri u ankua për probleme me zemrën ndërsa aeroplani ishte në hapësirën ajrore mbi Luksemburg, rreth gjysmë ore para uljes së planifikuar.
Pilotët kërkuan ulje emergjente në Aeroportin Charleroi në Bruksel, i cili ishte më i afërti, me qëllim që pasagjerit t’i ofrohej ndihmë mjekësore.
Informacioni u konfirmua edhe nga Flight RouteXplorer, i cili shpjegon se fluturimi u shpall emergjent rreth 2 orë pas ngritjes, ndërsa avioni ishte mbi hapësirën ajrore të Luksemburgut. Fluturimi në fjalë ishte fluturimi W64719, i operuar nga një avion Airbus A321neo.
Avioni qëndroi në aeroportin e Brukselit për rreth 30 minuta, pas së cilës fluturimi vazhdoi për në Paris, ku u ul me një vonesë prej 40 minutash.