Pasi u grindën publikisht, Mali Sharr dhe Eskimo Sport u pajtuan

Institucioni Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr” dhe operatori “Eskimo Sport” kanë arritur marrëveshje, pas disa problemeve që janë shkaktuar disa ditë më parë në Kodrën e Diellit, transmeton Portalb.mk.

“Pash zhvillimit të një dialogu konstruktiv dhe koordinimi institucional, është arritur një marrëveshje me operatorin Eskimo Sport, i cili ushtron veprimtarinë e skijimit me makina ratrak, si dhe me subjektin restorant Arena, i cili ushtron ekskluzivisht veprimtari gastronomike në territorin e Parkut Kombëtar”, raportoi Institucioni “Mali Sharr”.

Ky institucion ka shpreh mirënjohje ndaj operatorit Eskimo për gatishmërinë për respektimi e rregullativës ligjore, duke siguruar mbrojtje të biodiversitetit, turistëve dhe punonjësve.

“Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr mbetet fuqishëm i përkushtuar për bashkëpunim me të gjithë subjektet që veprojnë me përgjegjësi, respektojnë kornizën ligjore dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në harmoni me natyrën”, raportoi Institucioni “Mali Sharr”.

Pasi më 16 janar, Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’ njoftoi se punonjësit e tyre janë sulmuar nga makinat ratrak të një operatori të paautorizuar që lëvizte në hapsirat e parkut kombëtar, të nesërmen ata njoftuan se në llogarinë e tyre kanë arritur 300 mijë denarë nga operatori, për çka thonë se u paguan pa faturë paraprake ose pa kërkesë për pagesë nga ana e institucionit, për çka është njoftuar Sektori për Krim Ekonomik.

Operatori Eskimo Freeride mohoi sulmin, ndërkaq Ministria e Brendshme po heton rastin.