Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për formatim të strukturave lokale, kanë nisur dorëheqjet dhe shkarkimet

Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për një riformatim të strukturave drejtuese në nivel vendor, kanë nisur dorëheqjet dhe shkarkimet administratorëve të njësive administrative dhe disa nënkryetarëve të bashkive. Burime bëjnë me dije se të gjithë administratorët e Korçës kanë paraqitur dorëheqjen, ndërsa ata të Kolonjës janë shkarkuar, shkruan Top Channel.

Ndërkohë edhe në qarkun e Elbasanit, burime nga Euronews Albania konfirmojnë se këtë të hënë kanë dhënë dorëheqjen administratorët e njësive administrative dhe nënkryetarët e Bashkisë Elbasan dhe Librazhd.

Dorëheqjet vijnë në kuadër të procesit të nisur pas deklaratës së kryeministrit, i cili kërkoi largimin e të gjithë administratorëve vendorë dhe nënkryetarëve që nuk kanë arritur të japin rezultatet e pritshme në shërbim të qytetarëve.

Nga ana tjetër, në bashkitë Pogradec, Maliq dhe Devoll një proces i tillë nuk ka ndodhur ende.

Të kontaktuar nga telefoni, kryebashkiakët Sotiraq Filo dhe Erion Isai thanë se nuk do të ketë largime të nënkryetarëve në bashkitë përkatëse.

Deri tani, asnjë zëvendëskryetar në juglindje të vendit, përveç atyre në Elbasan dhe Librazhd, nuk është shkarkuar apo nuk ka paraqitur dorëheqjen.

Kujtojmë se gjatë një takimi me krerët e bashkive dhe drejtues të PS, Rama theksoi nevojën për një qasje të re në administrimin vendor, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të atyre që, sipas tij, janë bërë “pengesë për ndryshimin”.