Pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit, MPJ e RMV-së formoi Shtab të krizës për evakuim të shtetasve tanë

Pas sulmeve të mbrëmshme të Iranit ndaj Izraelit, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka sjellë vendim për formim të Shtabit të krizës detyrë primare e të cilit është organizimi i evakuimit të shtetasve të Maqedonisë nga Izraeli dhe Lindja e Afërt nëqoftë se për këtëka nevojë. Krahas Ambasadës në Tel Aviv, qytetarët do të kenë në dispozicion edhe ambasadat në Kajro, Abu-Dabi dhe Katar, njofton Portalb.mk.

“Ftoj të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim me Ambasadën tonë në Tel Aviv në numrin kujdesatar+ 972 549 267 378, si dhe në telefonat kujdestar SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme (+389 75 273 732 / +389 75 268 736 ), me qëllim përgatitjen për evakuim të mundshëm. Evakuimi do të varet nga dinamika e situatës në orët dhe ditët në vijim, si dhe qasshmëria e aeroportit në Tel Aviv, i cili gjatë orëve të mëngjesit të sotëm është vënë sërish në funksion, por punon me kapacitet të kufizuar. Rruga e vetme alternative është rruga tokësore përmes Jordanisë”, tha në konferencën për shtyp Osmani.

Sipas të dhënave me të cilat disponon MPJ, në Izrael ka rreth 40 deri në 50 shtetas të Maqedonisë, duke përfshirë edhe familjet e personelit tonë diplomatik në Tel Aviv. Osmani përkujtoi se Ministria e Punëve të Jashtme e ka evakuuar numrin më të madh të shtetasve tanë që kanë qenë në Izrael, me fluturim të organizuar në tetor të vitit të kaluar, por se një pjesë prej tyre kanë qëndruar sipas vendimit të tyre. MPJ nuk ka shifër të saktë se sa shtetas të Maqedonisë ka në rajonin më të gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtme kërkon nga presidenti i shtetit ta konvokojë Këshillin e Sigurimit në përbërje më të gjerë me pjesëmarrje edhe të partive politike opozitare për shkak se, siç tha, një eskalim më masiv në Lindjen e Afërt edhe krahas të gjithë reperkusioeve të sigurisë të cilët mund të jenë prezente mund të shkaktojë edhe valë refugjatësh.

“Ata kuprohet se do ta shfrytëzojnë rutën ballkanike, ndërsa kjo do të thotë edhe Maqedoninë e Veriut me të gjithë pasojat e mundshme dhe prej këtu duhet ta rrisim rezistencën e shtetit gjatë sfidave të tilla”, tha Osmani.

Ai theksoi se MPJ e dënon këtë sulm siç i ka dënuar edhe sulmet paraprake, dhe siç do t’i dënojë edhe sulmet eventuale të ardhshme hakmarrëse të cilët paralajmërohen.

“E dënojmë këtë sulm siç i kemi dënuar edhe sulmet e mëparshme dhe siç do të dënojmë sulmet hakmarrëse eventuale që paralajmërohen. Dhuna shkakton dhunë dhe ky cikël i përsëritur hakmarrjeje e përshkallëzon në mënyrë të pakthyeshme situatën në rajon, e cila shumë lehtë mund të zgjerohet; Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune, sepse nëse dhuna hakmarrëse nuk ndalet tani, situata do ta kalojë së shpejti pikën nga e cila nuk do të ketë kthim prapa” tha Osmani.

Osmani potencoi se nëse nuk parandalohen dinamikat e mëtutjeshme jashtëzakonisht negative, ka potencial të shndërrohet në luftë rajonale, e cila direkt ose indirekt do të ketë ndikim jashtë rajonit. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se së bashku me agresionin aktual të Rusisë në Ukrainë, një tjetër krizë serioze ushtarake rajonale në Lindjen e Mesme mund të ketë implikime dramatike ndaj paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.