Pas shumë viteve në opozitë, u bëtë një nga forcat më të suksesshme politike në Evropë – porosit Orban në video-fjalimin nga Kongresi i VMRO-DPMNE-së
Pas shumë viteve në opozitë, VMRO-DPMNE tani është bërë një nga forcat më të suksesshme politike në Evropë. Kjo ishte porosia që kryeministri i Hungarisë dhe lider i partisë nacional-konzervatore Fidesz, Viktor Orban, e dërgoi nëpërmjet një video-fjalimi nga Kongresi i VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.
Në fjalimin e tij, i cili u transmetua së bashku me fjalimet e disa liderëve të partive simotra të VMRO-DPMNE-së në fillim të Kongresit, Orban uroi anëtarët dhe aktivistët e partisë për, siç tha ai, arritjet e jashtëzakonshme të partisë gjatë dy viteve të fundit.
“Fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe presidenciale. Po ashtu, e keni vendosur atdheun tuaj në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të sigurt. Pas shumë viteve në opozitë, VMRO-DPMNE tani është bërë një nga, ose ndoshta forca më e suksesshme politike në Evropë. Nuk ka rekomandim më të mirë sesa vetë suksesi,” tha Orban.
Në fund të fjalimit, ai falënderoi për mundësinë e bashkëpunimit me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa anëtarësisë i përcolli mesazhin që ta vazhdojë ta mbështesë atë.
Fjalime përmes video-lidhjeve patën edhe përfaqësues të partive të tjera simotra të VMRO-DPMNE.
Kryeministri i Kroacisë dhe lider i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Andrej Plenkoviq, tha se pret me kënaqësi përforcimin e bashkëpunimit midis HDZ-së dhe VMRO-DPMNE-së, si dhe midis Kroacisë dhe Maqedonisë, duke shtuar se vendi ka mbështetje të madhe nga Kroacia në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Antonio Tajani, nënkryetar i Partisë Popullore Evropiane, kryetar i Forza Italia dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Italisë, tha se PPE e mbështet fuqishëm Maqedoninë në rrugën drejt BE-së. Ai shtoi se VMRO-DPMNE është një anëtare e respektuar e PPE-së.
Nga Kongresi u drejtua edhe Gunther Krichbaum, deputet i Bundestagut nga CDU dhe ministër shteti për Evropën, i cili tha se e ardhmja e Maqedonisë është në Bashkimin Evropian.
“Nuk është e zakonshme që një parti të festojë këtë lloj suksesi të jashtëzakonshëm. Kur shikoj pas, mendoj se ky sukses mund të shpjegohet. Ajo që dua të them është se ju jeni afër popullit, jeni afër qytetarëve, e dini çfarë mendojnë ata dhe çfarë u nevojitet për të ardhmen,” tha Krichbaum.
Partia në pushtet VMRO-DPMNE sot në Kavadarc po mban Kongresin e 18-të, ku pritet rizgjedhja e liderit Hristijan Mickoski. Kongresi u hap me një fjalim të kryetarit të partisë dhe me miratimin unanim të dokumentit kongresial “Kapitulli i ri – Strategjia Maqedonia 2030”.